Erdenis Gurishta ka ëndërruar gjithmonë të fitojë një trofe me skuadrën e zemrës dhe nesër ka shansin ta kthejë në realit. Vllaznia do të përballet me Skënderbeun në finalen e Kupës së Shqipërisë, trofe që kapiteni i kuqebluve është i bindur që do zbarkojë në Shkodër.
“Çdo ndeshje ka presionin e vet. Gjithsesi, ne jemi të qetë dhe jemi përgatitur t’i shkojmë deri në fund. Besoj se do t’i shkojmë duke çuar trofeun. Presioni ekziston, është finale, sidomos për disa çunat këtu, por edhe unë i pari.
Ka shumë vite që Vllaznia nuk është këtu ku është këtë sezon, nuk kemi arritur finale. Besoj se nesër do të flasë gjithçka për ne. Vllaznia do ta fitojë këtë Kupë, sepse e meriton. Kemi bërë një sezon fantastik dhe jemi më lart se Skënderbeu.
Duhet ta meritojmë këtë Kupë, do e tregojmë në fushën e lojës. Një nga ëndrrat e mia ka qenë fitimi i trofeve me Vllazninë. Jam shumë afër kësaj ëndrre dhe besoj se nesër do të bëhet realitet“, deklaron kapiteni i Vllaznisë, i cili i rikthehet edhe njëherë humbjes së titullit.
“Të vjen keq kur mbyllet kampionati në këtë mënyrë, vetëm me golavarazh ta fitojë ekipi kundërshtar. Nuk duhet të bëhemi pishman, sepse kemi bërë një sezon fantastik. Të gjithë e kanë pranuar se Vllaznia ka bërë lojërat më të bukura dhe është fituesja morale e kampionatit.
Kemi hedhur një hap të sigurt për të ardhmen. Besoj se fitimi i Kupës nesër do të jetë diçka pozitive për klubin. Unë me mendjen time jam i bindur te fitimi i Kupës, jam munduar t’ua transmetoj edhe çunave. Të gjithë duhet të jenë të bindur që Kupa do të vijë në Shkodër.
Që të ndodhë kjo, ne duhet të japim maksimumin, të japim shpirtin në fushë, ta dëshirojmë atë Kupë dhe besoj se gjithçka do të jetë në rregull. Tifozët? Të vjen keq që nuk do të jenë të pranishëm.
Unë prisja që ndoshta 30% e stadiumit të hapej. Po e bën gjithë Evropa këtë gjë, e pamë edhe në finalen e Champions League, por qeveria ka vendosur që të mos ketë tifozë. Na vjen keq, sepse ata na kanë përkrahur gjithë vitin, do ishin një armë pozitive për ne.
Gjithsesi, ne do të bëjmë gjithçka për të fituar Kupën e Shqipërisë dhe pas ndeshjes do të festojmë me tifozët“, përfundoi Erdenis Gurishta, një nga pikat më të forta të skuadrës së Brdaric. /abcnews.al