Në një ditë fillim-dimri, herët në mëngjes, jemi nisur drejt Razmës, në komunën e Shkrelit, 43 km larg Shkodrës. Zona e Razmës është rreth 900 m mbi nivelin e detit. Rreth viteve 1920, zotnitë apo tregtarët shkodranë ndërtuan këtu shtëpitë e tyre verore, por ata që e zbuluan Razmën e bukur, ishin austriakët.
Nikolin Pepaj na tregon se në Razëm, gjithçka është e ndërtuar me gurë dhe dru, dhe bujtinat janë në harmoni të plotë me natyrën. Buka e Razmës, kaçamaku, maza, turshitë, byreku, “çfarë të do zemra” e gjen këtu.
Nikolin Pepaj është djali që nuk e deshi emigrimin. Përfundoi një shkollë për turizëm dhe menaxhon bujtinën, ndërkohë që biznesi vazhdon të zgjerohet. Babai i tij, Gjergj Pepaj, na tregon historinë e Razmës, që nga tregtarët e Shkodrës deri te konfiskimi i pronave të tregtarëve shkodranë në kohën e komunizmit. Punonin në kooperativë, në punë që në 6 të mëngjesit, në dimër dhe në verë, në borë e në shi. “Nuk do t’i kisha çuar kurrë fëmijët në emigracion”, na thotë.
Në vatrat e Razmës, zjarri i druve, ushqimet tradicionale dhe shumë dashuri. Toni Ramaj ka bërë rrugët e emigracionit, nga Greqia në Angli, por siç na thotë, Greqia ishte ndryshe. Vendosi të kthehej dhe të ndërtonte një bujtinë në Razëm. “Më mirë bukë, djathë e shellirë në shtëpinë tënde”, na thotë. Ka punuar që fëmijë, kur mblidhnin bimë mjekësore për të ndihmuar familjen.
Në Shkodër, Ferdi Sterkaj na thotë se Razma është shembulli sesi kanë qëndruar në fshat dhe kanë zhvilluar turizmin. Ndikimi i turizmit është i tillë sa Vrithi, pjesë e të cilit është Razma, ka më shumë të rinj sesa në të gjithë zonën. Razma është shembulli i ringritjes së një fshati turistik në veri, ku e gjithë zona jeton nga turizmi./abcnews.al

