Jemi në rrugë drejt Rehovës. Dimër i ashpër, dëbora ka mbuluar gjithçka dhe të kujton këngën korçare, “dëbora zbardhi malet dhe fushat tatëpjetë…”. Por në fshatin Rehovë, 2 kilometra larg nga Erseka, ndjesia është krejt tjetër. Një fshat i bardhë, i mbuluar nga dëbora, por me ngrohtësi dhe paqe pranë zjarrit. Në bujtinën Cakuli na presin Gjergji dhe Vali. Janë rikthyer në Rehovë pas 21 vjetësh në Tiranë.
Shtëpinë e gurtë e kthyen në bujtinë, “hoqëm suvatë, kthyem gurin”, siç thotë Gjergji. Gjyshi i tij emigroi në Shtetet e Bashkuara ku punoi në Boston dhe me ato para që fitoi ndërtoi shtëpinë e gurtë në fshat, në të cilën u martua me gjyshen e tij kolonjare. Bashkëshortja Vali Cakuli na flet për Rehovën si fshati i luleve, duke thënë se nuk ka kopsht pa gjelbërim në Rehovë. Ushqimi këtu është shumë i veçantë, mish me kumbulla të thara dhe petulla me raki.
Natyrisht edhe byreku me preshë. Preshet i këpusin dhe i ruajnë në kopsht të futur në dhe. Vali na flet për gjyshërit dhe stërgjyshërit e Gjergjit që ndërtuan manastiret në Malin e Shenjtë të Athosit. Në një shtëpi tjetër të Rehovës takojmë Koço Thomollarin, që gjithashtu e ka kthyer shtëpinë në bujtinë. Fëmijët flasin shqip, edhe pse në emigracion, na thotë. “Nuk ua kanë humbur gjuhën prindërit”.
Koço na tregon edhe historinë e një Rehove të vjetër. Në kohën e Perandorisë Osmane, “Beu duhej të flinte me nusen natën e parë të martesës”. “Djali nuk duroi dot dhe e vrau beun, iku ai dhe gjithë fshati”, na thotë.
Në mullirin e Thomollarëve është ngritur edhe flamuri në 1912, kur u ngrit në Vlorë. Bashkëshortja Lavdije Thomollari na tregon se burrat këtu janë marrë me “punë shteti”, ndërsa gratë bënin çdo punë tjetër, mbanin shtëpitë dhe punonin arat. Edhe këtu byrek me preshë si në dimër dhe çaji i veçantë i trëndafilave të Rehovës. Fan Noli ishte nip kolonjar dhe kërkonte fjalë të vjetra shqipe për përkthimet e tij. “Si i thonë kalit të dalë nga dimri?”, pati pyetur dhe mori përgjigjen, “kalë gërdallë”. Në Rehovë është edhe tuma ilire, një nga më të mëdhatë e Ballkanit. Rehovarët janë shumë të lidhur me fshatin e bardhë dhe duan që vitet e fundit të jetës t’i kalojnë përsëri në Rehovë.


