Santiago Canizares ka qenë një ndër portierët më të talentuar spanjollë. 50-vjeçari është aktivizuar me skuadra si Real Madrid dhe Valencia, teksa numëron edhe 46 ndeshje të zhvilluara me kombëtaren iberike. Së fundmi nuk është kursyer aspak ndaj Pep Guardiolës, me të cilin fitoi Olimpiadën në vitin 1992.
Trajneri i Manchester City është një katalanas puro dhe prej vitesh bën fushatë për shpalljen e Pavarësisë së Katalonjës. Diçka të tillë nuk e kupton Canizares, i cili zhytet në kujtime dhe nuk i kursen thumbimet ndaj Guardiolës në një bisedë të bërë në Twitter me MisterChip.
“Mbaj mend që në vitin 1992 Pep Guardiola na fliste për politikë në një mënyrë shumë të moderuar. Bënim shaka dhe nuk kishte rëndësi nëse dikush i përkiste një ekstremi tjetër. Bisedonim me kënaqësi për politikë në ato vite.
Tani është gjithçka e pështirë, nuk e tolerojmë aspak njëri-tjetrin. Pep është shprehur se ka qenë i dashuruar me Katalonjën, por ai lumturohej sa herë që e grumbullonte Spanja. Një herë, pas një humbje që pësuam, përfunduam të dy në lot.
Nuk e pashë kurrë të hiqte dorë nga kombëtarja. Ndihem shumë keq kur e dëgjoj duke folur keq për Spanjën. Nuk e di se kur ndodhi modifikimi i trurit të tij. Dikur argëtoheshim, tani nuk jemi në gjendje as të kritikojmë partinë që na pëlqen.
Kur u vodhën mendjet tona? Kur ndryshoi mendja e Guardiolës, për çfarë ka nevojë? Ai nuk e ka atë lloj zemre, nuk është djalë i keq. Nuk e di kush e menaxhon trurin e tij politik, nuk e kuptoj. I kam humbur kontaktet me të.
Kemi një grup në Whats App, jemi të gjithë që kemi fituar Olimpiadën në vitin 1992. Mungon vetëm dikush: Pep Guardiola. Ndoshta ngaqë është më i famshmi për momentin. Nuk po e kritikoj se nuk është në chat, e kuptoj që ai është shumë i stresuar dhe nuk ka kohë për marrëzitë tona“, deklaron Canizares. /abcnews.al