Diskutime të shumta ka patur mbi suksesin e Barcelonës, kur atë e drejtonte Pep Guardiola. Një pjesë e tifozëve mendojnë se peshën më të madhe të arritjes e ka patur pikërisht tekniku spanjoll, por pjesa tjetër mendon se meritën krysore e ka vetëm Lionel Messi. I fundit që ka reaguar është ish-trajneri i Schalke 04, Felix Magath, i cili deklaron se katalanasit kanë fituar vetëm falë argjentinasit.
“Është Messi ai që i ka fituar titujt tek Barça dhe jo Guardiola. Pa Leon sistemi i tyre nuk do të kishte funksionuar kurrë për Guardiolën. Nëse është e kundërta atëherë përse ai nuk arriti të triumfojë në Champions me Bayern Munchen apo Manchester City?,” deklaron gjermani në një prononcim për “BILD”.
“Skemat e Tiki-Takës funksionojnë vetëm në rast se ti ke në ekip lojtarë më superiorë teknikisht se sa kundërshtari. Për tifozët një ekip që vetëm qarkullon topin është e mërzitshme dhe një top klub nuk ka përse ta bëjë diçka të tillë. Sipas mendimit tim, Guardiola është fiksuar që t’i fitojë ndeshjet duke mbajtur topin dhe duke qëndruar para, por kjo mënyrë loje shpesh herë përfundon jo mirë,” mbyll Magath. /abcnews.al