Vijojnë të mos kenë rezultat kërkimet intensive të policisë shqiptare mbi një gomone të pikasur të premten në afërsi të ishullit të Sazanit. Ky mjet lundrues nuk iu bind sinjaleve të policisë për ndalim. Gomonia mundi t’i shpëtojë ndjekjes të bërë nga deti dhe nga ajri përmes manovrave të befta në det dhe fuqisë së lartë motorrike.
Policia e Shtetit njoftoi se fillimisht në ndjekje të gomones u vunë tre mjete lundruese, pas dyshimeve se ajo do të përdorej për transportimin e një sasie droge. Për shkak të pamundësisë së neutralizimit të lëvizjeve të saj është kërkuar ndihma e anijes “Oriku” si edhe të një helikopteri “Cougar” të Forcave të Armatosura. Njëkohësisht janë lajmëruar edhe forcat e Guardia di Financias në Shqipëri e Itali. Nga pamjet filmike të realizuara nga helikopteri gjatë ndjekjes së gomones në ujërat neutrale në bordin e saj janë vënë re tre persona dhe disa bidona plastike, ndërsa pjesa tjetër ka qenë bosh.
Sipas policisë dyshohet se gomonia është fshehur në ndonjë gji detar në ujërat territoriale mes Malit të Zi dhe Kroacisë, zonë ku po vijon kërkimi nga ajri. Nga krehja e zonës në gadishullin e Karaburunit policia ka gjetur 28 kilogramë lëndë narkotike të ndarë në 5 pako, ndërkohë që vazhdon kërkimi për gomonen./abcnews.al