Guaido pranon të negociojë me presidentin venezuelian Maduro

schedule12:59 - 22 Maj, 2019

schedule 12:59 - 22 Maj, 2019

Mediat amerikane raportojnë dobësimin e opozitës venezueliane me liderin e saj Guaido i cili ka pranuar të negociojë me presidentin Nikolas Maduro. Një vendim që tregon dhe njëherë më shumë pushtetin në rritje të këtij të fundit

I vetëshpalluri president i Venezuelës Huan Guaido ka pranuar të negociojë me presidentin venezuelian Nikola Maduro. Dy palët kanë dërguar disa nga funksionarët e tyre në Norvegji për negociata, një lëshim që deri tani Guaido e kishte refuzuar. Nju Jork Tajms shkruan se ndryshimi i qëndrimit përfaqëson një moment kyç për opozitën venezueliane e cila përgjatë muajve është dobësuar, duke treguar dhe njëherë më shumë forcën dhe pushtetin që Maduro mban në duar pavarësisht krizës që po përjeton vendi.

Autoritetet amerikane ndërkohë po përgatisin sanksione të reja ndaj përfaqësuesve të qeverisë së Venezuelës dhe personave të tjerë të cilët dyshohet se kanë përdorur programin e ndihmave ushqimore të menaxhuar nga ushtria e Karakas, për riciklim parash.

Lajmi është konfirmuar nga burime për të përditshmen amerikane Uoll Strit Xhornal. Masat do të shpallen zyrtarisht në javët në vijim me qëllimin për të shtuar presionin ndaj qeverisë së presidentit Nicolas Maduro. Sipas “El Nasional”, akuza dhe sanksione do i drejtohen ushtarakëve të lartë dhe personave të tjerë të cilët mendohet se kanë ricikluar me miliona dollarë të fondeve shtetërore të caktuara për blerjen e ushqimeve dhe operacione të tjera humanitare. Sanksione të tjera mund të kenë si objektiv funksionarë apo ushtarakë që kanë përfituar para në pronësi të kompanisë shtetërore për prodhimin e naftës, nga minierat apo zyrave të tjera të këmbimit valutor. /ABC News Albania 24/7