Grupi kriminal në Korçë, shkon në 26 numri i të arrestuarve

schedule14:30 - 4 Nëntor, 2022

schedule 14:30 - 4 Nëntor, 2022

Ka shkuar në 26 numri i të arrestuarve në Korçë në kuadër të operacionit antidrogë “Knock Down 2”.

Policia njofton se sot janë arrestuar 3 shtetas, S. J., 31 vjeç, J. R., 19 vjeç dhe E. T., 35 vjeç, banues në Korçë. Uniformat blu bëjnë me dije se numri i të shpallurve në kërkim ka shkuar 9.

Kjo është faza e dytë operacionit të koduar Knock Down, operacion për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me shpërndarjen e drogës në këtë qytet.

Më herët, në fazën e parë të këtij operacioni të realizuar në muajin Prill të këtij viti në pranga përfunduan 25 persona. Në kuadër të të dy fazave të operacionit, janë proceduar penalisht 197 persona, nga të cilët 54 janë arrestuar, 16 janë shpallur në kërkim dhe vijon hetimi për 127 persona të tjerë.

Në një konferencë për shtyp, kreu u policisë së Korçës tha se gjatë të dyja fazave të operacionit janë sekuestruar “700 gramë kokainë e ndarë në doza; 1 kilogramë kanabis e ndarë në doza; 100 gramë heroinë e ndarë në doza; një sasi metadoni dhe prekusori; 1 armë zjarri tip pistoletë me silenciator; 38 automjete; 30 aparate celular; 5 peshore elektronike; 1 radio policie; një sasi rreth 50 milionë lekë në euro, dollarë dhe paund; dokumente të ndryshme identifikimi të dyshuara të falsifikuara për shtetas të ndryshëm”.

Njoftimi i Policisë

Vijon operacioni “Knock Down 2”, i finalizuar një javë më parë.

Vihen në pranga 3 shtetas të tjerë. Shkon në 26 numri i të ndaluarve dhe në 9 numri i të shpallurve në kërkim.

Sekuestrohet një tjetër sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Knock Down 2”, të finalizuar më datë 28.10.2022, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të personave të dyshuar si të implikuar në këtë aktivitet kriminal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– S. J., 31 vjeç, J. R., 19 vjeç dhe E. T., 35 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative se këta shtetas ushtronin aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Korçës, organizuan punën dhe bënë të mundur lokalizimin e tyre në rrugën Ravonik-Korçë, gjatë kohës që ata po lëviznin me automjetin tip “Renault”, që drejtohej nga shtetasi J. R. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. J., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!