Grupi i Berishës “pranon” propozimin e PS/ Bardhi: Do të qartësohemi për komisionin në parlament

schedule15:48 - 8 Maj, 2024

schedule 15:48 - 8 Maj, 2024

TIRANË-Gazment Bardhi nuk pati një “JO” për ftesën e kryeministrit Edi Rama, për ti bërë bashkë reformat në Kuvend, që nevojiten për integrimin e vendit ne bashkimin Europian.

Ai e la derën e hapur për ftesën e kryeministrit, ndërsa do të marrë pak kohë, sa për të qartësuar objektin e Komisionit të Posaçëm që do të ngrihet në Kuvend, nën mbikëqyrjen edhe të ndërkombëtarëve, për të bërë reformimin e legjislacionit, përfshirë edhe të drejtësisë.

“Do të shohim objektin e punës dhe do të vendosim”, tha ai.

Por Gazment Bardhi doli para gazetareve me qëndrim ter përgatitur, për të treguar se PD-ja e Rithemelimit nuk pengon asnjë iniciativë që e çon vendin përpara, në rrugën e integrimit.

“Ne mbështesim dhe nuk kemi penguar asnjë herë iniciativa që lidhen me integrimin”, shtoi ai.

Njëherësh iniciativa e qeverisë, për të forcuar synimin e ligjit dhe ani-korrupsionin, e mbështeti ambasada e SHBA në Tiranë, duke e vlerësuar premtuese për qëllimin e integrimit të vendit.

Reagimi i ambasadës së SHBA: “Propozimi për të çuar përpara përpjekjet e Shqipërisë që lidhen me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe anti-korrupsionin është premtues. Si partnerë në mbështetje të Shqipërisë prej kohësh, Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme ndërkohë që bëjnë bashkë grupe politike, shoqërinë civile, biznesin dhe të tjerë për të çuar përpara reformat kritike që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe bashkësinë euro-atlantike. Nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e dala nga një proces transparent dhe bashkëpunues”

Kundër dolën Ilir Meta dhe Enkelejd Alibeaj i PD-së. Por votat në Parlament i ka grupi i Rithemelimit, ndaj qëndrimi i opozitarëve të tjerë nuk e pengon PS-në të vijojë me projektin e bërjes së reformave, me qëllim integrimin.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!