OFL i kërkoi sot publikisht Saimir Taullaut dhe Arben Isufajt që të justifikonin pasurinë e tyre brenda 48 orëve duke njoftuar edhe dërgimin e formularit. Dy personazhet në fjalë akuzohen për pjesmarrje në organizata kriminale si edhe trafik të lëndëve narkotike.
Kush është Saimir Taullau?
50 vjeçari nga Lushnja njihet si biznesmen në zonë, ndërkohë që i ka shpëtuar për mrekulli disa atentateve. Më i fundit iu bë në nëntor të vitit 2018 ku ndaj lokalit të tij u qëllua me breshëri automatiku duke mos shkaktuar dëme në njerëz.

Ai është i skeduar nga policia për aktivitete të jashtëligjshme brenda dhe jashtë vendit.
Saimir Taullau është vëllai i Baki Taullaut, të vrarë në vitin 2005 nga banda e Aldo Bares. Baki Taullau u ekzekutua nga Leonard Prifti, i njohur edhe si “Ccibuku” në verën e vitit 2005 pasi kishte shkuar për të festuar kthimin në pushtet të Partisë Demokratike. Shoqëruesit e Baki Taullaut hapën zjarr duke e vrarë në vend “Çibukun”, i cili ishte një ndër killerat më të frikshëm të Aldo Bares.
Në dëshminë pas vrasjes së vëllait, Saimir Taullau deklaroi se i kishin paguar disa herë gjoba grupit të Aldo Bares.
Konflikti ka nisur në vitin 1997, kur banda e Aldo Bares rriti influencën në Lushnje. Familja Taullau kishte në pronësi një pikë karburanti dhe disa biznese. Bare kërkoi të rekrutonte në grup Saimir Taullaun, i cili refuzoi. Nga ky moment, banda nisi të vendosë gjoba për familjen, duke përfunduar në vrasjen e Baki Taullaut.
Familja e tij, ka patur gjithnjë përplasje me grupin e Aldo Bares, për shkak të një gjobe të vendosur gati 2 dekada më parë me vlerë 500 mijë euro, ngjarje ende nuk është zbardhur. /abcnews.al

