Grupi “Bajri” para gjykatës, ABC News zbardh akuzat e secilit

schedule16:16 - 24 Shtator, 2018

schedule 16:16 - 24 Shtator, 2018

Gjykata për Krimet e Rënda ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për 6 nga 9 të arrestuarit në Shqipëri si anëtarë të grupit kriminal “Bajri”. ABC News ka siguruar vendimin e gjykatës ku zbardhen akuzat për gjithë të dyshuarit.

Gjashtë nga nëntë të arrestuarit në Shqipëri nga operacioni “Oaz” si pjesë e grupit kriminal “Bajri” dolën të hënën para Gjykatës për Krimet e Rënda. Gjyqtarja Ilirjana Olldashi verifikoi masat e sigurisë “arrest në burg” caktuar në mungesë për ta, duke i lënë ato të pandryshuara.

Seanca e paracaktuar në orën 14:00 nisi me një orë vonesë. Shkak u bë vonesa në transportimin e Safet Rustemit (Bajrit) nga Shkodra, ku ai ishte paraditen e së hënës ishte për një masë sigurie për llogari të njohjes së vendimi penal fajësie dhënë ndaj tij në Belgjikë.

Në përfundim të seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, avokati i Safet Bajrit, i konsideruar si më kryesorët e grupit e cilësoi të papërshtatshme masën “arrest në burg” për klientin e tij. Ai tha se gjykata nuk kishte marrë parasysh as një garanci pasurore.

ABC News siguroi një kopje të vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda në lidhje me grupin “Bajri”. Mbi të dyshuarit e lënë në “arrest në burg” rëndojnë veprat penale të “paracaktimit të rezultateve në garat sportive”, “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “organizim i llogarive të palejuara”, të gjitha në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas dosjes gjyqësore, rezulton se hetimi ndaj këtij grupi ka nisur nga Krimet e Rënda gjashtë muaj më parë duke ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në vrasje, gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh sportive.

Në vijim këtij procedimi i janë bashkangjitur edhe tre procedime të Prokurorisë së Shkodrës, përkatësisht ai për tentativën e vrasjes së Arbën Tuzit në vititn 1999, vrasjen e tij në vitin 2001, si edhe vrasjen e Fabiola Bajrit në vitin 2002. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, autori i dyshuar i tyre është Behar Bajri (Rustemi), aktualisht i arrestuar në Holandë.

Ndërkohë të martën, pritet të dalin për verifikim mase para Gjykatës për Krimet e Rënda, tre nga personat e tjerë të arrestuar në Shqipëri nga operacioni “Oaz”./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!