Beteja në distancë mes Kastriotit kryesues dhe Besëlidhjes së vendit të dytë. Të dyja ekipet luajnë në transfertë dhe kanë përballje interesante. Krutanët luajnë në Shijak ndaj Erzenit, që një javë më parë gjeti rrugën e fitores. Nën drejtimin e Dorian Bubeqit mposhtën Korabin në transfertë dhe tani do tentojnë të ndalin edhe kryesuesit e grupit A.
Besëlidhja e Plorit mposhti me vështirësi Burrelin, kurse sot do të luajë jashtë fushe me Dinamon. Blutë, që këtë sezon po hasin shumë probleme dhe rrezikojnë rënien në Kategorinë e Dytë, duhet të marrin pikë me çdo kusht sot. Në grupin A janë programuar edhe dy përballje të tjera.
Burreli në shtëpi do kërkojë tre pikë të rëndësishme me Veleçikun, me synim që ta mbyllin në katër ekipet e para në përfundim të fazës së dytë. Takimi tjetër luhet në Peshkopi, aty ku Korabi ka treguar dobësi. Dibranët presin skuadrën e Egnatias dhe synimi është marrja e pikëve të plota. /abcnews.al


