Grumbulluesit bojkotojnë fermerët

schedule16:34 - 15 Mars, 2019

schedule 16:34 - 15 Mars, 2019

Nga e hëna deri të mërkurën grumbulluesit dhe agropërpunuesit nuk do të blejnë me qumësht nga blegtorët vendas. Kjo masë vjen për të kundërshtuar ngërçin e krijuar me TVSH-në e produkteve primare. Shoqata e Industrialistëve Ushqimore thotë se nuk ka mundësi të paguaj çmim më të shtrenjtë për fermerët.

Qumështin që pak ditë më parë blegtorët në Lushnje e derdhen në rrugë për të kundërshtuar uljen e çmimit do ta kenë të vështirë ta tregtojnë. Agropërpunuesit  do të ndërpresin grumbullimin e tij. Protesta e tyre vjen kundër ngërçit të krijuar për TVSH-në e produkteve primare dhe do të zgjasë tre ditë, nga 18 deri më 20 Mars.

Shoqata e Industrialistëve Ushqimore thotë se uljen e masës së kompensimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për fermerët nga 20 në 6% që nga Janari i këtij viti kanë mbajtur përpunuesit, por tashmë nuk ka mundësi ta paguajnë më shtrenjtë këtë produkt.

Ndryshimet ligjore të miratuara nga qeveria sipas saj do të shkaktojnë dëmtim të prodhimit vendas dhe favorizojnë importet, do të rrisin informalitetin dhe cënojnë sigurinë ushqimore. Shqetësimin e tyre ja kanë bërë të ditur dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por nuk kanë marrë zgjidhje.

Në mungesë të një reagimi, grumbulluesit dhe agropërpunuesit thonë se do të dalin në protestë, por kujdesen të qartësojnë se kauza e tyre është qartësisht ekonomike dhe nuk ka lidhje me politikën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!