Shqipëria e femrave është grumbulluar në Ulqin dhe po përgatitet për ndeshjen e 11 marsit kundër Qipros, në transfertë. Për këtë ndeshje, trajneri Armir Grima ka grumbulluar 23 vajza, kryesisht nga kampionati shqiptar dhe ai i Kosovës.
Trajneri shkodran ka dhënë edhe një deklaratë për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit. “Jemi në ditët e para të grumbullimit, seancat e para stërvitore po mundohemi që t’i japim një ngarkesë vajzave për këto ditë që jemi në grumbullim, edhe pse mendoj se do ta përballojmë.
Kemi vajza të kampionatit shqiptar, jemi munduar që të marrim nga të gjithë ekipet e kampionatit shqiptar. Më shumë është edhe për t’i motivuar dhe për të parë edhe elementin e ri që mund të afrojmë në ekipin kombëtar.
Grumbullimi do të zgjasë 7 ditë, besoj që do jemi në dy seanca stërvitore në ditë. Thashë është një periudhë me ngarkesa, gjithmonë është në shërbim të ndeshjes që do zhvillojmë me datë 11 mars me Qipron.
Jam i kënaqur me gatishmërinë e vajzave, kondicionin do ta shohim gjatë ditëve në vijim. Them që vajzat kanë nevojë shumë për stërvitje dhe mendoj që kjo do të na shërbejë shumë. Këtë periudhë do ta shfrytëzojmë për të riaftësuar vajzat dhe për t’i sjellë në kondicionin e duhur fizik.
Unë normalisht dua të falenderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për politikat e saj që po bën për zhvillimin e futbollit të femrave, jo vetëm për ekipet kombëtare, por edhe për përhapjen e futbollit në çdo qytet dhe në çdo shkollë. Besoj që kjo është baza për të menduar që do të kemi një futboll vajzash më të fortë në të ardhmen dhe me masivitet më shumë”, tha Grima.
Trajneri Armir Grima foli edhe për rezultatet pozitive të Shqipërisë U16 për femra: “Kënaqësi e madhe ai sukses, normalisht të fitosh një turne është kënaqësi e madhe dhe unë i përgëzoj shumë.
Përgëzoj vajzat shumë, përgëzoj trajnerin Agustin Kola për punën shumë të mirë që ka bërë, normalisht edhe trajnerët e ekipeve të vajzave që i kanë parapërgatitur dhe i kanë sjellë aty për të fituar një turne. Është një sukses dhe një kënaqësi e madhe për një vend si ne që të arrijmë të bëjmë tre fitore”.
BAJRAMAJ – Futbollistja e kombëtares, Zylfie Bajramaj, thotë fjalët e saj direkt nga grumbullimit. “Stërvitja po shkon shumë mirë, jemi të kënaqur në këto ditë të para grumbullimi, harmonia në ekip është shumë e mirë.
Mendoj që do të sjellim edhe rezultat nga ndeshja me Qipron, pasi kemi ardhur këtu për t’u përgatitur në maksimum. Atmosfera është shumë e mirë si gjithmonë, jemi vajza të lidhura mes njëra-tjetrës. Edhe stafi është shumë i mirë, na karikon për të dhënë më të mirën.
Besoj shumë që ky grumbullim do të na shërbejë për ndeshjen e marsit. Kam një thirrje për të gjithë vajzat që të inkuadrohen në këtë sport sepse është një sport i mrekullueshëm për ne”, përfundon Bajramaj. / abcnews.al