Shqipëria U-16 ka nisur grumbullimet për UEFA Development Tournament dhe nesër luajnë ndeshjen e parë, përballë Lituanisë në Kamzë. Shumë entuziast për këtë grumbullim ishte Romeo Abazaj, i cili foli për kanalin zyrtar të FSHF-së në YouTube: “Jam Romeo Abazaj, 15 vjeç, vij nga Rio Ave në Portugali. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, jemi stërvitur shumë, jemi një grup i bashkuar.
Ndihemi gati për këto ndeshje, për këtë turne ku do të luajmë tre ndeshje. Jam shumë i lumtur që luaj për kombëtaren e Shqipërisë, dua të ndjek gjurmët e babait tim, që ka qenë një lojtar shumë i mirë. Idhulli im në kombëtaren shqiptare është Elseid Hysaj”.
Për mikrofonat e FSHF, ka folur edhe Renaldo Torraj, 15 vjeçari vlonjat që vjen nga Tottenham. “Për mua ky është grumbullimi i dytë. Ndihem shumë mirë, jemi të bashkuar të gjithë çunat. Gjithçka po shkon shumë mirë, është një eksperiencë shumë e mirë. Ne jemi gati, jemi të përgatitur për këto ndeshje.
Ëndrra ime është që të luaj në Champions League, në nivele të larta. Për momentin ëndrra ime është të kem një kontratë profesionale. Kur luan kombëtarja shqiptare e ndjek nga televizori, dua të luaj për Shqipërinë, është shumë bukur. Idhulli im në kombëtaren shqiptare është Rey Manaj, luaj në të njëjtin pozicion. Por idhulli im në futbollin evropian është Eden Hazard”, ka përfunduar Renaldo./abcnews.al