Gripi i shpendëve, pulat në Fier shiten në treg pa u kontrolluar

schedule15:57 - 23 Mars, 2022

schedule 15:57 - 23 Mars, 2022

Edhe pse pas rënies së gripit të shpendëve në tregje nuk duhet të shiten pula të pakontrolluara, në Fier po ndodh e kundërta. Në një prej tregjeve të qytetit vazhdojnë të shiten shpendë të gjalla.

Edhe pse Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar kontrollin e shpendëve, tregtarët thonë se nuk janë kryer kontrolle.

“Jo s’ka ardhur njeri”, thotë një tregtare.

“Deri tani nuk na kanë thënë gjë që nuk duhet të shesim. I marrim nëpër fshatra’

Është absurde që vetë bashkia që ka ngritur këtë treg apo dhe institucionet e tjera të shtetit nuk kryejnë kontrolle të shpendëve që shiten. Një tjetër shkelje është dhe se ky treg është hapur vetëm për shitjen e frutave dhe perimeve.

Mungesa e kontrolleve rrit pasigurinë dhe vë në rrezik shëndetin e qytetarëve. Përballë këtij fakti, shitësit janë kthyer në veteriner.

“Këto janë zogj, po të ishin të sëmura do ishin të tulatur, do ishin të nxira. Ato janë pula, shih e kanë lafshën flakë të kuqe, po të ishte sëmurë unë s’do e merrja, se nuk i kam lekët e tepërta”, thotë një tregtare.

Më të ndërgjegjësuar duken se janë qytetarët të cilët nuk po blejnë më shpendë në tregje.

Njerëzit janë trembur nuk blejnë shumë”.

Gripi i shpendëve u konfirmua zyrtarisht në 19 mars, pasi kishin ngordhur mijëra pula në 3 stabilimente në Durrës. Institucionet përgjegjëse sqaruan konsumatorët me shumë vonesë për situatën dhe diagnozën.

Fillimisht u raportua se po ngordhnin nga laringotrakeit, por më pas diagnoza ndryshoi dhe u konfirmua gripi I shpendëve. Mijëra shpendë qëndruan për më shumë se 5 ditë në oborrin e stabilimentit. Groposja nisi mbrëmjen e së hënës në kodrat e Shilorës në Shijak./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!