Gripi i shpendëve në vendin tonë/ Resulaj thirrje fermerëve: Merrni masa, ja mënyrat si përhapet dhe tek njerëzit

schedule09:09 - 9 Janar, 2025

schedule 09:09 - 9 Janar, 2025

Disa shpendë që janë gjetur përgjatë vijës bregdetare të plazhit të Vlorës kanë rezultuar pozitiv dhe me virusin H5N1. Ndërsa, në SHBA është shënuar viktima e parë disa ditë më parë nga ky grip i shpendëve.

I ftuar në emisionin “ABC e Mëngjesit”, kreu i Urdhërit Profesional të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli ka bërë thirrje fermerëve të marrin masa, duke raportuar problemet e tyre te veterineri privat ose shtetëror.

Ai theksoi se duhet të jenë më të kujdesshëm fermerët dhe në shpërndarjen e ushqimit te shpendët, pasi ky grip përhapet në disa mënyra të ndryshme.

“Ne kemi dhe raste në Shqipëri, përpara disa ditësh ishte në Vlorë. Më herët ka qenë në Dajt, ku sa herë tufa preket duhet të eleminohet. Gripi i shpendëve si dhe virozat janë prezente me periudha të caktuara, pasi shpendët shtegtojnë. Ata e kanë prezent në organizmin e tyre, por mund të mos jenë patogjenë.

Këshillohen fermerët që të mos lënë ushqim ose enë me ujë që të mos ndikojë dhe te shpendët e egër. Janë disa zona si Dajti që duhet të marrin masa.

Ka pasur disa raste kur janë prekur punonjës të pularisë. Ajo që është më shqetësuese është rasti i pari që ka pasur vdekje nga gripi i shpendëve disa ditë më parë në SHBA.

Ky virus transferohet nëpërmjet kontakteve drejtpërdrejt, sekrecioneve dhe mënyra të ndryshme. Duhet të tregohen më të kujdesshëm fermerët, duke marrë masa, duke raportuar problemet e tyre te veterineri privat ose shtetëror”, u shpreh ndër të tjera Resulaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!