Duket se situata me gripin dhe fruthin, sipas mjekëve nuk është më shqetësuese si para pak ditësh. Mjekët bëjnë me dije se situata është nën kontroll pasi qytetarët janë sensibilizuar duke bërë edhe vaksinat përkatëse.
Situata me gripin dhe fruthin sipas mjekëve specialistë është nën kontroll, pasi gjatë këtyre ditëve nuk ka patur raste të shtuara pacientësh nëpër qendrat shëndetësore. Sa i përket fruthit mjekët thonë se pas sensibilizimit të prindërve për të vaksinuar fëmijët, rastet janë më të pakta.
“Realisht nuk kam pasur asnjë rast të dyshuar me fruth, veç rasteve që unë kam informacion që janë të konfirmuara në QSUT, ndërsa në këtë klinikë asnjë rast nuk ka pasur. Kemi bërë një ndërgjegjësim dhe sensibilizim të personave që nuk kishin vaksinuar fëmijën. Ka patur një dyndje të kësaj kategorie të pacientëve”, tha Bektash Mandri, mjek pediatër.
Mjekët gjithashtu konfirmojnë se edhe rastet e paraqitura me grip, janë normale për stinën ku ndodhemi, ku shpesh shoqërohen me temperaturë dhe probleme në rrugët respiratore.
“Përsa i përket gjendjeve virale realisht janë shumë të rralla. Ato që janë më të shpeshta në këtë periudhë janë infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore. Shoqërohen me temperaturë shumë të lartë 39-40 dhe shkon në 5 ditë. Grupmoshat e prekura kanë qenë 0-5 vjeçare”, tha Mandri.
Sipas mjekëve në rastet kur simptomat e gripit janë shoqëruar me komplikacione, pacientët janë shtruar në spital që të marrin trajtim më të specializuar. Gjithashtu ata rekomandojnë se qytetarët sapo të shfaqin simptoma gripi, t’i drejtohen mjekut specialist për të marrë trajtimin e duhur, nëse simptomat e gripit zgjasin apo rëndohen./abcnews.al