Pak më parë u mor vesh lajmi se konferenca për shtyp para ndeshjes me Qipron është anuluar sepse trajneri Grima është infektuar me koronavirus.
Ndërkohë, në një njoftim zyrtar FSHF bën me dije se përveç Grimës, është infektuar edhe sulmuesja Mimoza Hamidi dhe përgatitësi atletik Alban Shala. Të tre janë izoluar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
NJOFTIMI – “Trajneri i Kombëtares së femrave, Armir Grima, futbollistja Mimoza Hamidi dhe përgatitësi atletik i kombëtares, Alban Shala kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 në testet e kryera para ndeshjes së eliminatoreve të Europianit ndaj Qipros.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se trajneri dhe dy anëtarët e tjerë të skuadrës janë vendosur në karantinë dhe nuk do të jenë me Kombëtaren në sfidën e së premtes.
Grima, Hamidi dhe Shala janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë shfaqur simptoma. Të tre anëtarët e skuadrës përfaqësuese do t’i nënshtrohen sërish testeve me tampon pas dy ditësh.
Ndërkaq, pjesa tjetër e Kombëtares kanë rezultuar negativë në testet Covid-19”. /abcnews.al