Griezmann pritet të zyrtarizohet tek Barcelona

schedule22:32 - 11 Korrik, 2019

schedule 22:32 - 11 Korrik, 2019

Sulmuesi francez Antoine Griezmann mund të firmosë për Barcelonën javën e ardhshme. Mediat në Spanje e bëjnë fakt të kryer kalimin e 27-vjeçarit tek katalanasit.

Zyrtarizimi i Antoine Griezmann si lojtar i Barcelonës është vetëm çështje kohe. Sipas së përditshmes spanjolle “Mundo Deportivo”, katalanasit do të paguajnë klauzolën e futbollistit prej 120 milionë euro.

E përditshmja tjetër katalanase “Sport” zbulon se në kontratën e re Griezmann do të ketë një klauzolë largimi prej 300 milionë euro ndërkohë që futbollisti pritet të prezantohet ditën e hënë si përforcimi më i ri i kampionëve të Spanjës.

Nuk bëhet e ditur kontrata që do të nënshkruajë kampioni i botës me Francën, por tashmë është e qartë se 27-vjeçari ka pranuar një ulje të pagës për te firmosur me Barcelonën. Afrimi i mëngjarashit tek katalanasit mund të ketë një efekt zinxhir për objektivin tjetër të Barcelonës, Neymar.

Braziliani nuk ka pranuar të paraqitet në grumbullim me skuadrën e Paris Saint Germain duke dhënë sinjale të forta se dëshira e tij është rikthimi në Katalunjë. Gjithsesi Barcelona nuk mund të paguajë klauzolën e Neymar që kushton plot 270 milionë euro nëse nuk i siguron këto të ardhura nga shitja e futbollistëve të tjerë në skuadër. Nënshkrimi i Griezmann me kampionët e La Liga-s ka komplikuar jo pak rikthimin e Neymar në Camp Nou./ABC News Albania 24/7