Më shumë se 2,300 fluturime drejt dhe nga shtatë aeroportet kryesore gjermane pritet të anulohen sot për shkak të një greve. Rreth 300,000 pasagjerë ose nuk do të udhëtojnë ose do të përballen me vonesa të gjata.
Në aeroportet e Frankfurtit, Mynihut, Shtutgartit, Hamburgut, Dortmundit, Hanoverit dhe Bremenit, problemet kanë nisur tashmë mbrëmë, pasi mobilizimi përfshin shumë punëtorë në turnin e natës, i cili fillon në orën 21:00 ose 22:00.
Në shumicën e aeroporteve kryesore, fluturimet pothuajse janë pezulluar sot ndërsa Lufthansa tashmë ka anuluar të gjitha fluturimet e saj gjithsej 1300 në aeroportet e Frankfurtit dhe Mynihut.
Greva përkon me fillimin e sotëm të Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë në Mynih , ku marrin pjesë të paktën 45 krerë shtetesh dhe qeverish, qindra zyrtarë politikë dhe ushtarakë, përfaqësues të akademisë dhe biznesit.
Siç sqarohet nga organizata, fluturimet e avionëve qeveritarë do të zhvillohen normalisht në Mynih, por probleme të mëdha janë shkaktuar me lëvizjen e pjesës tjetër të pjesëmarrësve.
Të paktën 700 fluturime ishin planifikuar për sot në Mynih.
/abcnews.al