Greva nga pala greke, mbyllet dogana e Kakavijës, kategoritë që mund të kalojnë

schedule17:40 - 16 Shkurt, 2021

schedule 17:40 - 16 Shkurt, 2021

Dogana e Kakavijës është mbyllur për 24 orë për shkak të grevës që po bëhet nga pala greke. Mbyllja nis nga e mërkura më 17 shkurt, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 18 shkurt.

Autoritetet e Policisë greke,  në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kakavijës, sqarojnë se për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke, do të ketë një ndërprerje të punës, duke filluar nga dita e nesërme.

Kështu,  gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, furgonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla, medikamente dhe automjetet për raste emergjente.
Dogana Shqiptare u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj dege doganor. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!