Për 5 orë, dogana e Kapshticës është paralizuar plotësisht për shkak të grevës së paralajmëruar të doganierëve grekë. Nga ora 4 e mëngjesit, me orën e Shqipërisë, deri në orën 9, nuk ka kaluar kufirin asnjë automjet. Gjatë këtij intervali kohor, në tokën shqiptare janë krijuar radhë të gjata të mjeteve të vogla, autobusëve dhe kamionëve.
Në orën 9, dogana greke njoftoi përfundimin e grevës dhe filloi lëvizja normale në të dyja anët e kufirit. Policia jonë kufitare, për të menaxhuar situatën, hapi 3 sportele në hyrje dhe 4 sportele në dalje. Pas gati 30 minutash u përpunuan të dhënat e të gjitha mjeteve që pritën për disa orë për shkak të doganierëve grekë.
Ndërkaq, në doganën e Kakavijës, dhjetëra automjete janë në pritje për të kaluar kufirin./abcnews.al



