Analisti Skënder Minxhozi u shpreh se Greqisë i intereson më shumë betimi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, sesa lirimi i tij.
I ftuar në “News Line”, ai deklaroi se pala greke do bashkinë, pasi prej vitesh ka pasur kërkesa ngulëmuese për Himarën, ndryshe nga zonat që konsideroheshin si minoritare, si Finiqi, apo Dropulli.
Sipas Minxhozit, kjo situatë e re që është krijuar mes marrëdhënieve mes dy vendeve ka të bëjë me një tentativë të shtetit shqiptar për të kërkuar më shumë barazi dhe ekuilibër.
“Kjo tregon që palës greke i intereson bashkia, më shumë se sa ai që do të jetë kryetari i bashkisë. Ne po vijojmë të shohim se si merr formë në këtë luftë nervash ajo që unë do ta konsideroja një situatë krejt e re në marrëdhënien mes dy vendeve. Nëse në vitet ’90 dhe në fillim të viteve 2000, sapo pala greke kërkonte diçka që lidhej me Jugun e Shqipërisë dhe po ju kujtoj që Himara që prej atyre kohëve ka pasur një pozicion të privilegjuar në pretendimet greke, ndërkohë që s’kishte dhe s’ka për Finiqin, për Dropullin, për të gjitha ato zonat që konsiderohen si minoritar. Për Himarën ka pasur kërkesa ngulëmuese dhe presione jashtëzakonisht të mëdha dhe në të shkuarën, duke sjellë parlamentar, gjithë median, sapo aty kishte zgjedhje të çfarëdo lloj natyre ose sapo aty prisheshin 4-5 lavazhe makinash për t’i hapur vend një pedonaleje të re. E dimë të gjithë historinë.
Pra, ku ka ndryshuar konteksti? Duket se kjo situatë e re që është krijuar mes marrëdhënieve mes dy vendeve ka të bëjë me një tentativë të shtetit shqiptar për të kërkuar më shumë ekuivalencë, më shumë barazi, më shumë ekuilibër në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në aspektin dhe pretendimeve që dy vendet kanë me njëri-tjetrin”, tha ndër të tjera ai./abcnews.al