Agjencia Europiane e Barnave arriti në përfundimin se mpiksjet e gjakut dhe numri i ulët i trombociteve duhet të raportohen si efekte anësore të vaksinës.
Komiteti Kombëtar i Vaksinimit në Greqi po shqyrton situatën e krijuar pasi është vënë re se qytetarët kanë anuluar ose shtyrë vaksinimin me AstraZeneca. Greqia kërkon të vaksinojë sa më shumë persona duke mos ngadalësuar në këtë mënyrë edhe procesin e vaksinimit.
Për të arritur një gjë të tillë, proçesi i vaksinimit duhet të vazhdojë për grupmoshat e tjera, për kategori specifike profesionale, në funksion të rifillimit të aktiviteteve ekonomike. Në të njëjtën kohë, sipas informacionit të protothema.gr, Greqia po shqyrton mundësinë për të vaksinuar mosha të caktuara, zgjedhje e bërë nga vende të tjera si Britania e Madhe dhe Gjermania.
Qasje të ndryshme për përdorimin e vaksinave AstraZeneca (tani e quajtur Vaxzevria), si në popullatën e përgjithshme ashtu edhe në grupe të caktuara moshe, janë vënë re në shtetet anëtare të Bashkimit Europian, raporton abcnews.al
Megjithëse Agjencia Europiane e Barnave ka arritur në përfundimin se mpiksjet anormale të gjakut duhet të raportohen si efekte anësore shumë të rralla të vaksinës, përfitimet e të cilave tejkalojnë rreziqet e mundshme, 27 ministrat e shëndetësisë nuk dolën arritën në një përfundim të përbashkët.
Deri më tani, shumica e rasteve të raportuara kanë ndodhur te gratë nën moshën 60 vjeç brenda 2 javësh nga vaksinimi. Bazuar në të dhënat e disponueshme, faktorët specifik të rrezikut, të tilla si mosha, gjinia ose kushtet para-ekzistuese, nuk janë konfirmuar ende.
Për më tepër, Komiteti Coreper tha që njerëzit që kanë marrë vaksinën duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse përjetojnë simptoma të tilla. Komiteti Coreper zhvilloi një rishikim të plotë të 62 rasteve të trompozës cerebrale, 18 prej të cilave ishin fatale.
Sidoqoftë, 27 ministrat e shëndetësisë të Bashkimit Europian nuk ranë dakord mbi një pozicion të përbashkët gjatë një telekonference urgjente pas njoftimeve të EMA dhe bisedimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.
Gjermania ka konfirmuar se do të vaksinohen personat mbi 60 vjeç. Franca dhe Belgjika deklaruan se do të vaksinojnë personat mbi 55 vjeç.
Në Finlandë do të vaksinohen personat mbi 65 vjeç ndërsa në Estoni mbi 60 vjeç. Në Spanjë, pjesë të vendit, të tilla si Castile dhe Leon, kanë rifilluar vaksinimet me AstraZeneca, dhe qeveria që atëherë ka njoftuar se vaksina do t’u jepet personave mbi moshën 60 vjeç.
BE kërkon të shpejtojë prodhimin e vaksinave në Europë.
Përkundër problemeve me AstraZeneca, BE mbështetet në furnizimin me sasi të mëdha vaksinash në tremujorin e dytë të vitit. Gjatë tre muajve të ardhshëm, BE do të ketë në dispozicion më shumë se 360 milion doza.
Në një përpjekje për të rritur prodhimin, Agjencia Europiane e Barnave (EMA) miratoi kohët e fundit vendet e reja të prodhimit të vaksinave për BioNTech-Pfizer dhe Moderna, në Holandë, Gjermani dhe Zvicër, raporton abcnews.al
Dorëzimet e para të vaksinës BioNTech-Pfizer janë planifikuar për në gjysmën e dytë të prillit. BioNTech thotë se ka në plan të prodhojë deri në 250 milion doza të vaksinës së saj në gjysmën e parë të vitit.
Në të njëjtën kohë, disa prodhues të vaksinave, të tilla si CureVac i Gjermanisë, thonë se ata përballen me sfida në rritjen e prodhimit në Europë për shkak të vendimit të mëparshëm të SHBA për të ndaluar eksportet e lidhura me vaksinat derisa të vaksinohen të gjithë qytetarët amerikanë.
Sipas përfaqësuesve të CureVac, vaksina e saj është e bazuar në teknologjinë m-ARN mund të marrë aprovim emergjent nga Coreper në javët e ardhshme dhe kompania mund të përgatisë 300 milion doza në muajt e ardhshëm./abcnews.al