Në një shkrim të gazetës gjermane Handelsblatt me titull “Greqia po largohet nga Gjermania”, përmenden stërvitjet e përbashkëta mes Greqisë, Qipros, Egjiptit në bashkëpunim me Francën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por dhe dimensionet e më të gjera gjeopolitike të kësaj stërvitjeje, e cila është pagëzuar me emrin “Medusa 2020”.
“Meduza ishte emri i një përbindëshi të frikshëm në mitologjinë e lashtë Greke, me flokë gjarpri dhe sy si zjarr. Sipas legjendës, ata që e panë atë në sy u shndërruan në gur”.
Edhe qëllimi i “Medusa 2020” është i njëjtë. Ky është emri i koduar i stërvitjes ushtarake që pesë shtetet po kryejnë këtë javë, këtë herë duke përfshirë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilat Kyriakos Mitsotakis nënshkroi një marrëveshje strategjike dy javë më parë në Abu Dhabi.
“Marrëveshja është pjesë e diversifikimit të politikës së jashtme greke,” shkruan Handelsblatt.
Tensionet në rritje me Turqinë, Greqinë dhe Qipron janë lënë në prapavijë. Ata nuk kanë qenë në gjendje të përmbushin kërkesën e tyre për t’i vendosur sanksione Ankarasë, raporton abcnews.al.
Nga vendet kryesore europiane, vetëm Franca ka qëndruar pranë tyre. Nga ana tjetër BE, kritikoi kërkimet e Turqisë për gaz në detin Mesdhe duke e cilësuar si një veprim të paligjshëm aq sa Ankara u kërcënua me sanksione. Por Parisi ende heziton t’i aplikojë.
Aktualisht është qeveria gjermane e cila po mban situatën në kontroll -ndoshta për shkak të rëndësisë që ka Turqia në marrëveshjen për mbajtjen e refugjatëve në territorin e saj, dhe duke marrë parasysh interesat ekonomike, veçanërisht në sektorin e armëve.
Vitin e kaluar më shumë se një e treta e eksporteve gjermane të armëve u dërguan në Turqi. Sipas Handelsblatt, Greqia e cilëson programin e armatimit gjermano-turk si një “kërcënim”.
Sipas gazetës, “zemërimi për qëndrimin e Gjermanisë nuk është i madh vetëm brenda qeverisë greke, por kjo gjë është reflektuar edhe tek njerëzit e thjeshtë.
Sipas një sondazhi të fundit në Greqi, 71% e të anketuarve e konsiderojnë negativ qëndrimin e Gjermanisë ndaj konfliktit Greko-Turk, 62% janë të pakënaqur me qëndrimin e BE-së dhe 76% e vlerësojnë qëndrimin e Francës pozitiv.
Për shkak se BE duket se po tërhiqet, Athina tashmë po krijon një rrjet të ri partneresh. Dhe kjo është e vërtetë sepse vendet e tjera të rajonit po e konsiderojnë qëndrimin e Turqisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut gjithnjë e më agresiv.
Raporti i referohet deklaratës së përbashkët të Greqisë, Qipros dhe Egjiptit marsin e kaluar, duke dënuar pretendimet territoriale të Turqisë në Mesdhe dhe vë në dukje se “përpjekjet e Turqisë për t’u bërë një fuqi hegjemonike në Lindjen e Mesme shihen me shumë dyshim nga shumica e vendeve në rajon.
Të tre vendet gjithashtu bashkuan forcat me Italinë, Izraelin dhe Jordaninë për të formuar një grup për kërkimet e gazit, por Turqia u la jashtë këtij grupi.
Athina krijoi gjithashtu kontakte më të ngushta me Arabinë Saudite. Partneriteti i ri do të përfitojë gjithashtu nga ç’tensionimi i marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit, me të cilin Greqia gjithashtu po punon ngushtë.
Turqia, e cila gëzon marrëdhënie të mira vetëm me Katarin në Lindjen e Mesme, qëndron më e mënjanuar në këtë zonë.
Qeveria e Ankarasë po monitoron aktivitetet diplomatike të huaja greke që kanë shkaktuar pakënaqësi. Ndërkohë Ministri i Jashtëm turk i ka përshkruar bashkëpunimet e reja të Greqisë si një” aleancë e djallit”. s.ba/abcnews.al