Greqia ndryshon vendim, lejon fluturime me Shqipërinë nga aeroporti i Athinës

schedule20:33 - 2 Gusht, 2020

schedule 20:33 - 2 Gusht, 2020

Greqia ka ndryshuar vendimin lidhur me fluturimet ajore nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut si dhe e anasjellta.

Autoriteti i Aviacionit Civil grek ka njoftuar sot se të gjitha fluturimet midis Greqisë dhe dy vendeve fqinje do të operohen vetëm në Aeroportin “Eleftheros Venizellos” të Athinës duke përjashtuar aeroportet e tjera.

“Të gjitha fluturimet midis Greqisë dhe dy vendeve tona fqinje, Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, do të operohen nga sot, 1 gusht deri më 15 gusht vetëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës Eleftherios Venizelos ” , duke përjashtuar rrugët në aeroportet e tjera”

Një ditë më parë Shërbimi Ajror Grek kishte njoftuar pezullimin e fluturimeve nga Shqipëria drejt Greqisë dhe anasjelltas, deri më 15 gusht.

Greqia la në fuqi të gjitha udhëzimet e tjera të lëshuara nga shërbimi ajror ku parashikohej pezullimi i fluturimeve për në Turqi deri më 15 gusht, zgjatja e ndalimit të hyrjes në pikat kufitare për shtetasit jo-evropianë deri në 15 gusht dhe lejimin e hyrjes në Greqi të shtetasve që fluturojnë me ajër nga Bullgaria, Rumania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe vetëm pas provës negative të Covid-19 e cila kryhet deri 72 orë para mbërritjes së tyre në Greqi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!