Policia greke njoftoi sot se ka asgjësuar një rrjet të rëndësishëm të trafikut të kokainës drejt Evropës duke arrestuar 10 persona, pas ndalimit të një anijeje fundjavën e kaluar në brigjet franceze.
Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrisochoidis u tha gazetarëve se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane për Luftën Kundër Drogës (DEA) dhe marinën franceze.
”Sasia e kokainës së sekuestruar të dielën në një anije peshkimi greke vlerësohet nga 3,4 deri në 4,7 tonë”, bëri të ditur policia greke.
”Droga ishte ngarkuar në anije në fillim të dhjetorit, në ujërat pranë ishullit Martinikë, në Antilet franceze”, shtoi policia.
Autoritetet po e ndiqnin këtë çështje që nga tetori i vitit 2024.
Rrjeti, i përbërë kryesisht nga shtetas grekë, përdorte anije peshkimi që dukeshin se ushtronin aktivitet tregtar të ligjshëm në ujërat ndërkombëtare.
Një anije “mëmë” transportonte drogën, e cila fillimisht ngarkohej në anijet e peshkimit dhe më pas transferohej në jahte.
Në disa raste, ngarkesa hidhej në det pranë brigjeve evropiane dhe më pas merrej nga zhytës.

