Greqia po përballet me një rritje të rasteve të virusit të Nilit Perëndimor. Gjatë javës së fundit, janë regjistruar 47 raste të reja dhe 4 vdekje.
Me rastet e fundit, bilanci që nga fillimi i vitit 2026 ka shkuar në 157 të infektuar dhe 13 viktima. Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese për shkak të numrit të pacientëve që po marrin trajtim në spitale.
Aktualisht, 42 persona janë të shtruar në spital, ndërsa 23 prej tyre ndodhen në njësitë e kujdesit intensiv, duke treguar se një pjesë e rasteve paraqiten me simptoma të rënda.
Rastet e reja janë konfirmuar në disa zona të vendit. Në Atikë, virusi është evidentuar në Dionysos, Kallithea dhe Petroupoli, ndërsa raste janë raportuar edhe në Bashkinë e Aleksandrisë, në Imathia.
Autoritetet shëndetësore po vijojnë monitorimin e situatës dhe të rasteve të reja, ndërsa të dhënat e fundit pasqyrojnë një përhapje në rritje të virusit gjatë muajit gusht.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe mund të shkaktojë komplikacione të rënda, veçanërisht te personat më të rrezikuar.



