Greqi, votohet ligji për marrjen e nënshtetësisë nga emigrantët

schedule17:35 - 20 Mars, 2019

schedule 17:35 - 20 Mars, 2019

Parlamenti Grek miratoi ligjin që zgjeron kategoritë e emigrantëve që marrin shtetësinë greke. Po ashtu ulet edhe tarifa e aplikimit për marrjen e kësaj shtetësie.

Parlamenti helen ka votuar një paketë dispozitash të reja, duke zgjeruar gamën e emigrantëve që mund të përfitojnë nënshtetësinë greke. Kjo e drejtë tashmë u ofrohet edhe emigrantëve me moshë mbi 65 vjeç, të sëmurëve mendorë apo psikikë, si dhe invalidëve. Një nga masat favorizuese është ajo për uljen e tarifës që paguhet për aplikimin.

Nga 700 euro, bëhet tashmë 550 euro. Gjithsesi, kjo është një tarifë mjaft e shtrenjtë, sidomos për kushtet e Greqisë. Këtë e pranojnë edhe hartuesit e draftit. Dispozitat përcaktojnë rregulla të reja për kryerjen e testit të gjuhës dhe njohurive për historinë dhe kulturën e vendit.

“Diskutimi i dispozitave u shoqërua nga debate të ashpra. Opozita e akuzoi qeverinë se po jep masivisht nënshtetësinë, me qëllim që të joshë votat e emigrantëve në tre palë zgjedhjet që do të mbahen këtë vit. Por ministri i Brendshëm i zmbrapsi sulmet, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të zgjojë reflekse ekstremiste në opinion.  Ministri shtoi se qeveria Tsipras po përpiqet të bëjë atë që në shtetet e tjera europiane është diçka normale. Asnjë emigrant që jeton i ligjshëm në vend nuk mund të përjashtohet nga marrja e nënshtetësisë”.

Në fakt, deri më tani, nënshtetësinë greke e përfitonin fëmijët e lindur apo të arsimuar në Greqi, qytetarët me origjinë greke dhe një numër mjaft i vogël shtetasish nga vende të treta.  Sipas të dhënave zyrtare, janë rreth 230.000 qytetarë të huaj që kanë marrë nënshtetësinë greke në gjashtë vitet e fundit. Shumica dërrmuese e tyre janë emigrantë të ardhur nga Shqipëria./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!