Përplasjet politike në Greqi bënë që të shtyhet votimi parlamentar për marrëveshjen e Prespës. Por sondazhet e fundit tregojnë se krahas politikës edhe qytetarët e kundërshtojnë atë, me 6 në 10 grekë që e konsiderojnë një marrëveshje shumë të keqe.
Në Greqi u shty të enjten seanca parlamentare për votimin e marrëveshjes së Prespës, që i jep fqinjit verior të shtetit helen emrin Maqedonia e Veriut. Vendimi i klasës politike u mor në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila e caktoi votimin për të premten në orën 14 e 30. Shkak për këtë lëvizje dyshohet të jenë bërë përplasjet mes subjekteve politike për atë që njihet si Marrëveshja e Prespës.
Por, krahas politikës, kundër paktit në fjalë duket se janë edhe shumica e qytetarëve grekë. Sipas një sondazhi të kryer për llogari të televizionit grek Skai, 6 në 10 grekë e kundërshtojnë marrëveshjen e Prespës dhe në lidhje me këtë çështje mbështesin më shumë partinë e opozitës Demokracia e Re kundrejt Syrizës. Sipas anketës, plot 62 për qind e 1 mijë e 325 të intervistuarve besojnë se marrëveshja e emrit mes Athinës dhe Shkupit është “e keqe” ose “shumë e keqe”.
Ndërkohë, më shumë se 7 në 10 vetë, ose 72 për qind e të pyeturve, besojnë se prishja e koalicionit qeverisës më herët gjatë muajit ishte një lëvizje e planifikuar mes dy partnerëve të ekzekutivit. Sondazhi tregon gjithashtu se, partia Demokracia e Re ka një avantazh prej 10.5 pikë për qindje ndaj Syrizës, me 35 për qind të të intervistuarve që thonë se do të mbështesnin konservatorët në zgjedhje krahasuar me 22.5 për qind që do të mbështesnin partinë e Aleksis Tsipras.
Partia e ekstremit të djathtë Agimi i Artë renditet e treta me 8 për qind të mbështetjes, e ndjekur nga Lëvizja për Ndryshim me 6.5 për qind dhe Partia Komuniste me 5.5 për qind. Ndërkohë, ish-anëtarja e koalicionit Grekët e Pavarur, lideri i të cilës dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Mbrojtjes, me vështirësi ka siguruar 1 për qind të votave, duke regjistruar një rënie të ndjeshme krahasuar me pragun elektoral prej 3 për qind.
Po aq mbështetje ka marrë edhe subjekti i qendrës Potami, që humbi grupin parlamentar për shkak të përçarjeve mbi Marrëveshjen e Prespës. Vetëm fundjavën e kaluar, Athina u përfshi nga protesta masive kundër akordit të arritur me Shkupin, me manifestuesit që bërtisnin “Maqedonia është Greqi”./abcnews.al