Greqi, qeveria zbut kontrollin e kapitaleve

schedule20:36 - 15 Shtator, 2018

schedule 20:36 - 15 Shtator, 2018

Një muaj pasi doli nga programi i ndihmave ndërkombëtare, Greqia po ecën drejt shfuqizimit të masave të rrepta anti-krizë, që mes të tjerash parashikonin parandalimin e rrjedhjes së kapitaleve. Ministri i Financave ka bërë me dije se shumë shpejt masat mbikëqyrëse do të hiqen.

Greqia ka në plan të lehtësojë më tej kontrollet mbi kapitalet financiare dhe madje është në rrugën e shfuqizimit të të gjitha kufizimeve që vendosi tre vjet më parë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri grek i Financave. “Shumë shpejt do të kemi një tjetër lehtësim të masave”, ka deklaruar Euklid Tsakalotos për një gazetë helene, por pa saktësuar se kur do të ndodhë. “Dhe me këtë lëvizje ne do të mbyllim paketën e dytë të rregullave sa i përket tërheqjes së parave të thata dhe hapjes së llogarive bankare”, ka deklaruar Tsakalotos. Ai ka shtuar se menjëherë më pas Greqia do të hyjë në fazën finale të tërheqjes së plotë të kontrolleve të kapitaleve, që ka të bëjë me kufizimet për lëvizjen e tyre jashtë vendit. Greqia vendosi kontrolle të rrepta mbi kapitalet për të frenuar rrjedhjen e parasë kesh nga bankat e saj në vitin 2015, kur në kulmin e krizës së borxhit u përball me një faliment ekonomik dhe frikë për dalje nga zona euro. Muajin e kaluar vendi doli nga faza e fundit e ndihmës ndërkombëtare dhe thuajse 9 muaj masa anti-krizë. Sidoqoftë, vendi ballkanas vazhdon të jetë i mbytur në borxhe dhe nën monitorim nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!