Vizita e kryeministrit Aleksis Tsipras në Shkup është pritur me tone kritike në Athinë. Si opozita ashtu edhe shtypi grek janë shprehur se vizita dhe marrëveshjet e nënshkruara gjatë saj ishin një përpjekje për të zbukuruar Marrëveshjen e Prespës, e cila kurrsesi nuk duhet të përsëritet në rastin e Shqipërisë.
Një ditë pas vizitës së kryeministrit Tsipras në Shkup, opozita dhe media greke kanë kritika të ashpra, duke i ndërlidhur zhvillimet dypalëshe edhe me Shqipërinë. Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë hedhur hapin e parë për inaugurimin e një bashkëpunimi strategjik. Ky është konkluzioni i përftuar në Athinë, pas vizitës së kryeministrit Tsipras në Shkup, me ç’rast u zhvillua dhe mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive. Ose, siç emërtohet, Këshilli Suprem i bashkëpunimit. Por ndryshe nga qeveria, partitë opozitare dhe shumica dërrmuese e analistëve kanë shprehur kritika të ashpra, duke nënvizuar se shkuarja e zotit Tsipras në Shkup ishte thjesht një përpjekje për të retushuar imazhin negativ që krijoi në opinionin grek marrëveshja e Prespës. Athina zyrtare ka promovuar si një nga rrjedhojat pozitive të marrëveshjes së Prespës faktin se avionë luftarakë do të monitorojnë hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut.
Por kritikët thonë se kjo është një procedurë që bëhet në kuadër të NATO-s, dhe që emërtohet si Air Policing. Analistët shtojnë me nënkuptim se Greqia asiston me Air Policing edhe hapësirën ajrore të Shqipërisë, por nuk ka pasur kurrfarë influence pozitive në marrëdhëniet Athinë-Tiranë, të cilat që prej disa muajsh mbeten krejt të ngrira.
“Marrëveshja e Prespës është cilësuar nga shumëkush si një model që duhet ndjekur edhe për problemet e tjera dypalëshe mes vendeve të rajonit. Athina e kishte dhënë e para këtë shembull, por nuk duket e prirur që ta zbatojë këtë model edhe me Shqipërinë. Të paktën jo tani afër. Jo para se të përfundojnë tre ballafaqimet elektorale të këtij viti: zgjedhjet europiane dhe ato lokale në maj, si dhe zgjedhjet e përgjithshme që duket se do të mbahen në vjeshtë”.
Gazetar i ABC News në Greqi: Robert Goro