Greqi, 20 të inkriminuar për zjarret e Korrikut 2018

schedule23:45 - 5 Mars, 2019

schedule 23:45 - 5 Mars, 2019

Prokuroria greke ka inkriminuar 20 persona për “neglizhencë” dhe “vrasje me paramendim” në kuadër të hetimeve mbi zjarret që përfshinë zonën e Matit korrikun e vitit të kaluar.

Mes personave të inkriminuar spikasin guvernatorja e rajonit të Atikës, dy kryetarë bashkie, ish-sekretari i përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, si dhe ish-kreu i repartit të zjarrfikësve dhe zëvendësi i tij.

Të gjithë të inkriminuarit rrezikojnë deri në 5 vjet burg. Zjarret e Korrikut 2018 në Greqi u morën jetën të paktën 100 personave. Ato shënuan rastin e dytë më fatal të ndodhur nga zjarret në shekullin e 21-të, pas atij të vitit 2009 në Australi që vrau 180 vetë.

Flakët ishin aq intensive saqë dogjën njerëzit brenda në shtëpitë e tyre, në automjete dhe madje fare pak metra larg plazheve. Gjithashtu, ato shkatërruan mijëra banesa dhe makina.

Situata e rëndë detyroi autoritetet greke të evakuonin 700 persona, si dhe të angazhonin mbi 250 makina zjarrfikëse dhe 600 efektivë. Kryeministri Aleksis Tsipras shpalli tre ditë zie dhe e cilësoi ngjarjen një tragjedi të papërshkrueshme./abcnews.al