Grenell sulmon Kurtin: Anti-amerikan, kundërshtoi Clintonin, Bushin, Obamën e Trumpin, duhet ndaluar

schedule18:58 - 2 Mars, 2021

schedule 18:58 - 2 Mars, 2021

Ish-emisari i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, sot ka reaguar pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se do të shqyrtohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem pas njohjes reciproke me Izraelin, vendim ky që doli si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit e sponzorizuar nga Administrata Trump.

Grenell e ka quajtur Kurtin “majtist anti-amerikan” që ka qenë kundër secilës Administratë amerikane që nga koha e Bill Clinton. “Albin Kurti ka qenë kundër politikave të SHBA të sugjeruara nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Ai është gjithmonë anti-amerikan. Ekipi i Biden duhet ta ndalojë”.

Grenell nuk është ndalur me vetëm një reagim. Ai ka shkruar përsëri në llogarinë e tij në Twitter, duke thënë se Albin Kurti ka hedhur gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës për të ndalur Demarkacionin me Malin e Zi të cilin e kishte mbështetur presidenti amerikan, Barack Obama.

Emisari amerikan thotë se edhe Joe Biden i kishte kërkuar atë kohë Kurtit që të mbështeste demarkacionin, por thotë se ky i fundit pavarësisht thirrjeve të Biden “shkoi në drejtim terrorist”.

“Albin Kurti hodhi gaz lotsjellës brenda Parlamentit të Kosovës, në përpjekje për ta ndalur demarkacionin me Malin e Zi, të përkrahur nga Presidenti Obama. Joe Biden, po ashtu, kërkonte në atë kohë Kurti që ta përkrahte Demarkacionin – dhe ai zgjodhi rrugën e terrorizmit ” ka shkruar Grenell./ GazetaExpress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!