I dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell,në një reagim më të fundit të tij është shprehur se mospajtimet Kosovë-Serbi rreth Ujmanit kishin të bënin me emrin e Liqenit.
Grenell në një intervistë për një radio amerikane ka shpalosur detaje të negociatave që kulmuan me marrëveshjen e Uashingtonit, ku gjatë takimit për negociatat ai ka thënë me tallje se kishte propozuar që Ujmani të quhej Liqeni Trump.
“Ky konflikt i perceptuar që në njëfarë mënyre është konflikt gjatë 21 viteve të kaluara… Kemi qenë të ngujuar për 21 vjet duke u munduar t’i bindim ata të pajtohen për fjalë dhe fraza”, ka thënë ai.
Më vonë ai është munduar që audiencës amerikane këtë gjë t’ia ilustrojë me shembuj.
“Është një liqen atje, mbase nuk duhet ta përmend këtë pasi që dikush në Kosovë apo Serbi mund të zemërohet. Pjesa më e madhe e liqenit është në Kosovë, një pjesë e vogël është në Serbi. Teksa po mundoheshim ta gjejmë zgjidhjen se si t’i çojmë këto dy shtete drejt bashkëpunimit ekonomik, një prej gjërave që menduam është të gjejmë mënyra rreth liqenit, ka mënyra për krijimin e vendeve të punës përmes projekteve energjetike”, ka thënë ndër të tjera Grenell.
Teksa, si ka vazhduar ai, SHBA-ja po i shtynte dy palët “drejt këtij momenti ekonomik, ato përplaseshin se si duhet quajtur liqenin”.
“Shkaku është se kosovarët thoshin se duhet të quhet ashtu si e quanin ata, e serbët sipas emrit të tyre. E unë propozova të quhet sipas emërimit të Kosovës/ Serbisë. Kështu i zemërova dyja palët. Vazhduam ta quanim me dy emrat dhe askujt nuk i pëlqente. Ky lloj lufte rreth fjalëve, simbolikës është, si iu thashë liderëve të dy liderëve: Kjo nuk u jep njerëzve mundësi t’i paguajnë kreditë, nuk u siguron ushqim. Nëse vazhdoni të luftoni për simbolikë, mbiemra, folje, emra, nuk do të shkojmë askund. Lini anash këto gjëra dhe vazhdojmë me ekonominë. Më në fund e lanë, por unë, në tallje u thashë: Nëse s’pajtoheni rreth emrit, mund ta quajmë Liqeni Trump”, ka thënë ai./abcnews.al