I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka deklaruar se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë pikërisht politikë e Bolton e assesi e presidentit Trump.
Në një intervistë të dhënë për Fox News, Grenell ka përmenduar disa nga politikat e Boltonit duke filluar nga problemet me Iranin, mes dy Koreve – e deri te ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kur flasim për Kosovën dhe Serbinë, presim që përfaqësuesit e tyre të vijnë në Shtëpinë e Bardhë ku do të diskutojmë për lëvizjet e marrëveshjes historike. Unë vazhdimisht i kam luftuar thashethemet për shkëmbim territoresh mes dy vendeve dhe mund të them se kjo nuk është politika e Trumpit, por kur gërmoni më thellë të dy palët thonë se ashtu ka deklaruar Bolton. Kështu unë jam duke luftuar këto thashetheme”, ka deklaruar Grennell./abcnews.al