“Greenpass-i”, korrupsioni dhe protestat!

schedule11:31 - 5 Nëntor, 2021

schedule 11:31 - 5 Nëntor, 2021

Nga Edi Oga

“Greenpass” për të hyrë në lokale ishte lajmi kryesor i ditës së djeshme. Nuk bëri ndonjë bujë të madhe si lajm, por me siguri do të bëjë në ditët në vijim, nëse qeveria e ka seriozisht vendosjen e kësaj mase detyruese. Se qeveria ndonjëherë edhe teston opinionin. I tremb qytetarët deri në pikën kur acarohen pastaj bën “prapakthehu”, duke pretenduar që qytetarët t’ia vlerësojnë si nder këtë. Si rregull, këto “tërheqje të vështira” i njofton vetë kryeministri duke shtuar pikë “piari” në thesin e tij të krediteve politike populiste.

Ndonjë “mendje e ndritur” i ka sugjeruar qeverisë të vendosë barrierë para lokaleve, sepse shqiptarët nuk jetojnë dot pa frekuantuar lokalet një apo shumë herë në ditë. Në këtë mënyrë, ata do të jenë të detyruar të vaksinohen, të pajisen me “Greenpass” për të hyrë në lokale. “Bullshit!” (meqenëse edhe qeveria na e thotë “Greenpass” në anglisht, në vend të “pasaporta e gjelbër”). Qytetarët që e kanë ndarë mendjen të mos vaksinohen, nuk i trembën vdekjes nga Covid-i, si mund t’i tremben një detyrimi për të mos hyrë në lokal pa një dokument si letër a si foto në celular?! Disa nuk do të shkojnë më nëpër lokale, kurse shumica do të kërkojnë e do gjejnë zgjidhje. Sepse në këto raste ka gjithmonë zgjidhje, madje më shumë se një.

Do të marrin “Greenpass” të rregullt duke “u vaksinuar” me shishe bosh dhe pa age, duke paguar nën dorë. Siç kanë bërë deri tani në fund të fundit, kur u duhej patjetër si dokument për të mbaruar punë jashtë shtetit. Për të dërguar fëmijët studentë në Perëndim, për shembull.

Do të refuzojnë gjobitjen dhe do të korruptojnë ata që kontrollojnë pasjen e këtij dokumenti.

Me fjalë të tjera, do të rritet xhiroja e parave nën dorë, që anashkalojnë një problem që kushton më tepër. Pra vendosja e detyrimit për “Greenpass” thjesht do të shtojë nivelin e korrupsionit që karakterizon masat e marra për të menaxhuar pandeminë.

Personalisht jam vaksinuar dhe inkurajoj këdo që ta bëjë, por kurrsesi nuk jam për vaksinim të deryruar me masa të tilla detyruese qesharako – korruptive!

“E kanë edhe shumë vende evropiane”, thotë zonja ministre, pa përmendur protestat masive që kanë ndodhur atje pikërisht për këtë arsye. Me siguri qeveria është e qetë nga kjo anë, sepse opozita që ka si mision të ngreje popullin në protesta, ka hallet e veta këto kohë. /abcnews.al