Nga foltorja e Kuvendit, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu diskutoi mundësinë e vendosjes së “Green Pass-it” si kusht për t’u futur në lokalet apo vendet e tjera ku marrin shërbim qytetarët.
Manastirliu solli si shembull BE-në, që shumë vende anëtarë, kanë aplikuar “Green Pass” prej kohësh dhe po funksionon, por sa i përshtatshëm është ky kufizim për realitetin shqiptar.
Të ftuar në “ABC Live” me Juli Xhokaxhi Flora Xhamani Baba, Drejtore Ekzekutive e “Travel Magazine”, Mira Pogaçi, Drejtore Ekzekutive e Bashkimit Tregtar, Altin Prenga nga “Mrizi i Zanave” dhe operatori turistik Vasil Bedini u shprehën kundër këtij kufizimi.
Sipas tyre dëmin fillestar do të pësojnë bizneset e më pas qytetarët në shërbime apo rritje çmimi.
“Pjesa e popullsisë aktive është thuajse e pavaksinuar. Qeveria po përpiqet të ushtrojë autoritet vetëm aty ku mundet dhe jo aty ku është e nevojshme. Urbanet janë plot. Pse po bëhet vetëm për baret dhe restorantet,” u shpreh zonja Baba.
Ndërsa Vasil Bedini u shpreh se biznesi ndodhet në një situatë të vështirë ku nuk mund të bëhen më as parashikime për hapat që duhen hedhur në të ardhmen pasi situata është gjithnjë e në ndryshim.
Është e vërtetë që kushti i “Green Pass” është aplikuar edhe në vende të tjera të botës, shton ai, por bizneset janë mbështetur nga qeveritë e këtyre vendeve.
“Shtetit as ia ndjen fare se çfarë po heqim ne. Po ndodh kudo, por biznesi është mbështetur.”
Për Altin Prengën Shqipëria nuk është gati për masa të tilla, sipas tij më i dëmtuari do të jetë biznesi i vogël. Nga ana tjetër Mira Pogaçi sugjeron që nëse vendoset si kusht “Green Pass” për t’u futur në barë apo restorante, duhet të hiqen kufizimet e tjera për bizneset e prekura.
“Krahasuar me vendet e tjera të BE, vihet Green Pass, hiqet orari, baret e restorantet s’kanë më kufizime, po shtojmë një masë të re shtrënguese ndërkohë që kemi masa të tjera në fuqi. I vetmi benefit që pati biznesi vjet ishte shtyrja e kredive.”
Të ftuarit në studio bien dakord që ajo që do të pasojë me vendosjen e një kufizimi të tillë është rritja e çmimit për shërbimet, ndërsa shtuan se grupet e interesit duhet të mblidhen dhe ta detyrojnë qeverinë që të mos i marrë këto vendime. /abcnews.al/