Gratë për herë të parë në stadium në Arabinë Saudite

schedule16:07 - 14 Janar, 2018

schedule 16:07 - 14 Janar, 2018

Një ngjarje e madhe ndodhi në Arabinë Saudite. Për herë të parë në historinë e Mbretërisë konservatore, femrat patën mundësi të ndiqnin ndeshje futbolli në stadium.

Ende jo barazi e plotë, por gjithsesi hap i rëndësishëm.
Gratë në Arabinë Saudite bënë realitet një dëshirë, duke shkelur për herë të parë në stadium për të parë një ndeshje.
Impianti i parë ku ndodhi risia ishte ai i qytetit Xheda, në përballjen mes ekipeve Al Ahli dhe Al Batini.
Mbretëria konservatore po bën kështu hapat e parë drejt përmirësimit të pozitave të grave, duke hequr dalë nga dalë rregullat për ndarjen e sekseve.

“Së pari, unë ndihem e lumtur për këtë rast të bukur, dhe përgëzoj gratë, vajzat dhe familjet që hynë në stadium. Së dyti, jemi të lumtura sepse jemi tifoze të ekipit Al Ahli dhe patëm mundësi ta mbështesnim në stadium”.

“Padyshim, jemi të lumtura. Kemi udhëtuar jashtë vendit për të ndjekur ndeshje, por tani situata është e ndryshme dhe ne jemi shumë të lumtura dhe të gëzuara”.

Ja edhe një burrë që gëzohet për femrat.

“Kjo ishte shumë e rëndësishme sepse gratë dhe vajzat janë të barabartë në shoqëri dhe kjo na lejon ne që të marrim pjesë në sport në një mënyrë normale, natyrale dhe të përditshme, si një familje. Kjo është një gjë shumë e mirë për shoqërinë, për lojtarët dhe për çdo gjë”.

Për momentin, disa ndarje mbeten.
Stadiumet saudite do të kenë tribuna të veçanta të quajtura familjare, por sidomos do të ketë vendparkime të veçanta për makinat e femrave, dhe po ashtu vendpushime të veçanta.
Natyrisht, ndryshimi nuk mund të vijë në një ditë, ndërsa parashikohet që të ketë edhe reforma të tjera, diçka e paimagjinueshme shumë vjet më parë./abcnews.al