Greva e naftëtareve në Ballsh sot hyri në ditën e 11-të, ndërsa gratë kanë anuluar vendimin për të marrë fëmijët nesër në ambientet ku po vijojnë rezistencën për të marrë pagat e prapambetura.
Dje, nënkryetari i Sindikatës së naftëtarëve tha se nga e hëna është menduar që grevës së urisë t’i bashkohen fëmijët dhe familjarë të tjerë. “Nga e hëna kemi menduar të sjellim fëmijët, përderisa zoti kryeministër nuk reagon”, deklaroi nënkryetari i Sindikatës së naftëtarëve.
Por sot vendimi ndryshoi me argumentin e koronavirusit. “Nuk do t’i sjellin fëmijët për momentin për shkak të frikës nga covid-19” tha sot nënkryetari i Sindikatës jashtë kameras.
Një gjë të tillë e nënkuptoi edhe njëra nga grevistet kur u shpreh sot se “Ne e kemi menduar atë gjë, por kemi dëshirë që kauzën ta çojmë vetë, por nuk e dimë si do të na marrë rrjedha” theksoi ajo.
Sot njëra prej grave është zëvendësuar, pasi shoqja e saj Silva Fejzaj u dërgua me urgjencë mbrëmë në spitalin e Ballshit. Gratë shprehen të vendosura për ta vijuar duke mos hequr dorë nga kërkesat e tyre për pagat e prapambetura.
“Padyshim do ta vazhdojmë, nuk kemi se ku të shkojmë. Të na japin lekët të ushqejmë fëmijët, na presin të shkojmë me lekë në shtëpi, t’u blejmë bukë dhe ilaçe” tha njëra prej tyre.
Referuar thirrjes së kryeministrit për ndërprerjen e grevës si kusht për të negociuar, një tjetër prej grave e cilësoi si papërgjegjshmëri, pasi theksoi se nuk po kërkojnë lëmoshë, por djersën e tyre.
“Kjo është papërgjegjshmëri e kryeministrit që thotë këtë, sepse në një shtet demokratik nuk e kuptoj sesi thotë negocio për bukën e gojës. Për cfarë? Kur ne e kemi thënë shumë qartë, për bukën e fëmijës nuk negociohet, sepse nuk e kërkojmë të na e falë të na japë lëmoshë, por djersën tonë”./ db/Abcnews.al.