Grantet për Rindërtimin, Rama: 80 milion dollarë shkojnë drejtpërdrejt për qytetarët

schedule11:39 - 11 Korrik, 2020

schedule 11:39 - 11 Korrik, 2020

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj ishte sot në bashkinë e Durrësit, ku  është prezantuar shpërndarja e granteve.

Rama theksoi se janë 25 milion dollarë që do të shkojnë për qytetarët e Durrësit për të bërë riparimin e banesave të tyre. Ndërkohë shuma në total për të gjitha zonat e prekura është 80 milion dollarë, që sipas kryeministrit do të shkojnë drejtpërdrejt te qytetarët.

Kreu i qeverisë u shpreh po ashtu se kanë miratuar planin e Spitallës. Rama tha se vonesa nga pandemia ishte e konsiderueshme, megjithatë tha se në vjeshtë do të jenë gati shtëpitë e rindërtuara.

“Kemi filluar punën për shpërndarjen e granteve. Jemi shumë të vetëdijshëm se çdo ditë është shumë për njerëzit që presin të hyjnë në shtëpi dhe kemi bërë çmos që ta bëjmë procesin sa më shpejt. Pengesa që na krijoi periudha e mbylljes ka qenë e konsiderueshme. Janë 25 milion dollarë që do të shpërndahen në dorë për të gjitha familjet që kanë të domosdoshme të përmbyllin riparimet.

Durrësi problemin kryesor ka njësitë kolektive. Kemi miratuar planin e Spitallës. Kemi një sërë godinash të tjera që do ndërtohen individualisht. Për të gjitha këto jemi në në fazën e procedurës ku do të fillojmë me garat dhe po ecim shpejt me projekt zbatimin e Spitallë, ku do të angazhojmë grupin e krijuar nga princi i kurorës i Emirateve. Po ecet intensivisht kudo dhe është një shumë e konsiderueshme rreth 80 milion dollarë që do të shkojë drejtpërdrejt për qytetarët në zonat e prekura. Ka filluar edhe puna konkrete për shtëpitë individuale, garat kanë përfunduar. Shumë shpejt do të jemi në terren dhe vjeshta do të jetë edhe fillimi hapjes së dyerve”, deklaroi Rama. /abcnews.al