GRAFIKU/ “Qytetarë, blini bono thesari!” Borxhi Publik kap majat, po ashtu edhe interesat: Pse qeveria po i drejtohet popullit?

schedule10:30 - 15 Nëntor, 2022

schedule 10:30 - 15 Nëntor, 2022

Nga Emirjon Senja

Rritja e stokut të borxhit si edhe të kostos së tij sidomos gjatë muajve të fundit ka bërë që qeveria të rikthejë vëmendjen te qytetarët për financimin e tij nisur edhe nga fakti se bankat kanë rritur ndjeshëm interesat.

Gjatë fjalës së saj, në një konferencë të posaçme për shtyp, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj kërkoi nga qytetarët që të marrin pjesë në financimin e borxhit publik përmes blerjes së bonove të thesarit, ndërsa theksoi se tashmë janë rritur edhe interesat.

Ibrahimaj tha se aktualisht, bonot e thesarit 3 mujore kanë një interes prej 2.78 për qind, kurse ato 12 mujore kanë një interes 5.74 për qind.

Ajo shtoi se qeveria ofron edhe mundësinë e obligacioneve duke theksuar se tashmë aktorët e tregut mund të investojnë në obligacione 15 vjeçare me 8.39 për qind.

Aktualisht, Borxhi Publik i Shqipërisë përllogaritet në mbi 11 miliardë euro, me një rritje të fortë gjatë viteve 2020-2021.

Burimi: Ministria e Financave

Të dhënat janë deri në shtator 2022, ndërsa në muajt në vijim priten të dhënat edhe për tremujorin e katërt 2022.

Pse bëhet tani kjo thirrje?

Gjatë muajve të fundit ka patur një rritje të ndjeshme të intersave të bonove të thesarit gjatë ankandeve të organizuara nga Banka e Shqipërisë, gjë që ka rritur ndjeshëm koston e pagesave të qeverisë ndaj tyre.

Krahas kësaj, ulja e numrit të bankave tregtare në vend ka bërë që të vërehet një rënie e konkurrencës në ofrimin e borxhit ndaj qeverisë, gjë e cila po ashtu rrit interesat. Të dyja këtyre iu shtohet edhe faktori tepër i rendësishëm që është situata e re e krijuar në botë prej luftës në Ukrainë.

Kështu për shembull, nëse interesi mesatar për bonot një vjeçare ishte 1.57 për qind në njërin prej ankandeve të janarit, tani ai ka shkuar në 5.74 për qind dhe ka tendencë rritjeje për aq kohë sa Banka e Shqipërisë do të vijojë me rritjen e normave të interesit me qëllim mbajtjen e çmimeve nën kontroll.

Në situatën e krijuar, qeveria po u bën thirrje qytetarëve që të futen në treg me qëllim rritjen e konkurrencës dhe uljen e interesave në një kohë kur Borxhi Publik është në nivele tepër të larta.

Aktualisht, individët financojnë pak më shumë se 10% të Borxhit të Brendshëm, tregues të cilin qeveria kërkon ta rrisë për t’i bërë presion bankave për të ulur interesat.

Një thirrje e ngjashme iu bë qytetarëve edhe gjatë vitit 2011 kur qeveriste e djathta pasi qeveria kishte shpenzuar shuma të mëdha për investime në infrastrukturë dhe bankat po ashtu kishin rritur ndjeshëm interesat për financimin e borxhit publik. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!