Grabitje dhe kërcënime/ Lleshaj, vartësve: Godisni migracionin e paligjshëm, të huajt po lëvizin lirshëm

schedule18:25 - 9 Qershor, 2020

schedule 18:25 - 9 Qershor, 2020

Pas problemit të ngritur në “ABC News” nga banore të periferisë së Tiranës lidhur me shqetësimet nga azilantë nga vendet e Lindjes,  reagon për herë të parë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

Gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit, Lleshaj i la porosi vartësve të goditet migracioni i paligjshëm.

 “Duhet në mënyrë të fortë të merren masa për kontrollin e të gjithë territorit nga veprimtari që lidhen me migracionin e paligjshëm dhe veprimtaritë kriminale. Për arsye se jeni dëshmitarë të shtimit të numrit të qytetarëve të huaj, emigrantëve, të cilët i sheh jo rrallë dhe lirshëm në rrugët e vendit, të pakontrolluar, të pa adresuar”, tha Lleshaj.

 

Lexo edhe: Azilantët kthehen në “makthin” e qytetarëve, tregtari: Më kanë vjedhur dhe kërcënuar disa herë

Sipas Lleshajt, në territorin shqiptar nuk mund të lejohen të hyjnë emigrantë nga vendet që nuk kanë konflikte të luftës.

 “Persona që vijnë nga vende pas asnjë lloj konflikti, persona që vijnë nga vende të sigurta, të konsideruara të tilla nga qeveria shqiptare, nuk mund të shndërrohen në karburant për të mbajtur gjallë një instrument trafikimi që sjell pasoja në drejtim të sigurisë së vendit dhe shumë aspekte të tjera”, tha më tej Lleshaj.

Thuajse çdo ditë, në të gjithë vendin policia po ndalon grupe emigrantësh që vijnë nga vende të ndryshme, e që strehohen në vendin tonë.

Pak ditë më parë, “ABC News” transmetoi shqetësimet e qytetarëve në Babrru, banesat e cilëve ndodhen shumë pranë kampit të ndërtuar për azilkërkuesit. Ata thanë se thuajse çdo natë po vidhen nga kjo kategori.

Shqetësim kishin edhe bizneset, tregtarët e të cilëve pohuan se po bien pre e grabitjeve nga emigrantët e huaj./abcnews.al