Policia e Tiranës zbuloi dy shuma të tjera parash të cilat dyshohet se u grabitën në prill të këtij viti në Rinas dhe i përkasin një banke të nivelit të dytë. Shuma prej 5 mijë euro i është gjetur Elton Piklit, i cili është një prej të arrestuarve si autor i dyshuar i grabitjes. Ndërkohë, një shumë tjetër i është gjetur babait të Renaldo Sulës, edhe ky i arrestuar për grabitjen. Paratë e gjetura kanë rezultuar se i përkasin një prej bankave të nivelit të dytë. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për marrjen e kampionit për të bërë analizën e ADN-së për Elton Piklin dhe Oltion Veselin. Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar zgjatjen e afateve hetimore edhe me 3 muaj, kërkesë kjo që është kundërshtuar nga dy prej të arrestuarve Oltion Veseli dhe Elton Pikli. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka shtyrë seancën për një datë tjetër, për shkak të mungesës së Avokatit të Piklit.
Me 9 prill 2019 ne Aeroportin e Rinasit u grabitën rreth 6 milion euro të cilat do të transportoheshin jashtë vendit. Grabitësit arritën të çanin perimetrin e jashtëm të sigurisë në aeroport dhe morën paratë në pistën e uljes së avionëve me një fugon. Pas grabitjes, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj, i cili pretendohej se ishte edhe koka e bandës. Ndërkohë të arrestuar janë gjashtë persona të dyshuar: Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, Elton Pikli, Saimir Cela dhe shtetasi nga Kosova, Ragip Hajdini. Alkond Bengasi është bërë dëshmitar i drejtësisë dhe ka dhënë dëshmi që i shërbejnë zbardhjes së supergrabitjes. Në kërkim për grabitjen e rreth 6 milion eurove në Rinas janë vëllezërit Eldi dhe Klement Çala dhe Talo Çela./abcnews.al