Shkon në 5 numri i personave në vënë në pranga në lidhje me grabitjen e parave në Rinas. Ata janë: Fatjon Beqiraj, Alkon Bengasi, Renaldo Sula, Saimir Çela dhe Oltian Veseli. Mësohet se operacioni për kapjen e tyre është zhvilluar në qytetin e Elbasanit dhe Fushë Krujës. Dy prej tyre dyshohet se kanë modifikuar në një servis furgonin me mbishkrimin “hetimi tatimor” që u përdor nga Admir Murataj dhe bashkëpunëtoret e tij në grabitjen e 6.5 milione eurove. Servisi ndodhet në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan. Hetuesit janë tepër te rezervuar ne dhënien e informacionit, por zbulimi i servisit është bërë nga këqyrja e qindra orëve filmime të kamerave të sigurisë, nga ku ka kaluar ky mjet. Dyshohet se Policia ra në gjurmët e të arrestuarve pas provave të mbledhura në furgonin që u përdor për të hyrë në pistën e Rinasit.
Hetuesit kanë dyshime se pjesë ketij grupi mund të ketë qenë edhe një femër, e cila ka kryer veprime aktive në grabitje. Policia gjatë këtyre ditëve ka mbledhur dëshmi dhe të dhëna në disa qytete të vendit si Tiranë, Elbasan, Fushë-Krujë dhe janë bërë hapa konkrete që mund të çojnë në zbulimin e grabitësve të tjerë. Gjithashtu edhe për personin i cili dogji një furgon në afërsi të Bathores për të shpërqëndruar policinë, janë gjetur të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e tij. /abcnews.al