Grabitja e filialit të bankës në Koplik, zbulohet shuma e parave që morën autorët

schedule08:39 - 10 Maj, 2022

schedule 08:39 - 10 Maj, 2022

10.000 euro, 1000 dollarë dhe rreth 4 milionë lekë të vjetra kanë grabitur dje autorët e armatosur në një bankë në Koplik. Abc mëson se shumat e parave janë grabitur nga sportelet e bankës.

Kanë qenë tre persona që kanë hyrë të maskuar për të grabitur paratë e filialit të bankës. Ata kanë hyrë në bankë rreth orës 14:10 minuta të ditës së djeshme. Në ambientet e bankës veç punonjësve ka pasur dhe klientë, që janë terrorizuar. Nën kërcënimin e armëve morën paratë dhe u larguan me një mjet “Volkswagen” ngjyrë të errët.

Pak minuta më pas në dalje të qytetit, rrugës për në Bajzës i vunë zjarrin makinës në mes të rrugës. Më pas ndaluan një Benz në të cilin ndodheshin tre persona. I kërcënuan me armë dhe i zbritën nga mjeti. Grabitësit morën Benzin dhe mësohet se u larguan në drejtim të Hanit të Hotit.

Efektivët e policisë dhe efektivë të FNSH-së së Shkodrës janë vënë në ndjekje të tyre dhe ende nuk i kanë kapur.

Gjithashtu me ndihmën e një helikopteri u bënë edhe kontrolle nga ajri.

/abcnews.al