Grabitja dhe më pas plagosja më armë zjarri brenda banesës së çiftit Laze në Allias tronditi opinionin publik.
2 persona hynë në orët e mbrëmjes së 19 janarit brenda shtëpisë së çiftit, dhe kërkuan të hollat që kishin në shtëpi. Fillimisht ata u pikasën nga vajza e çiftit Laze ku kjo e fundit njoftoi menjëherë prindërit e saj.
Kjo bëri që autorët të qëllojnë me armë duke plagosur fillimisht Petrit Lazen dhe më pas bashkëshorten e tij, Afërdita Laze, të cilët në katin e parë të vilës kishin si biznes.
Pas një pune intensive policia ra në gjurmët e dy autorëve duke finalizuar ditën e sotme, gjatë operacionit “Mjegulla”, arrestimin e një prej grabitësve, pikërisht Fatjon Mertenikaj 28 vjeç nga Elbasani, ndërsa Markelian Cungu protagonist i një numri të madh vjedhjesh që në moshë fare të mitur është shpallur në kërkim.
Por kush është “Markeliani i tmerrshëm” i vjedhjeve, i cili është shpallur tashmë në kërkim, për ngjarjen e 19 janarit, në banesën e çiftit Laze?
“Markeliani i tmerrshëm” është arrestuar dhe liruar disa herë, brenda dhe jashtë vendit, që kur ishte fare i vogël.
Markelian Cungu rezulton të jete një emër i njohur nga policia që nga fëmijëria. Në moshën 12-vjeçare rezultonte një nga personat që kishte vizituar më shumë se të gjithë, komisariatet e policisë së Tiranës për veprën penale të grabitjes.
Cungu, banues në lagjen “Allias” në Tiranë, asokohe shokët e thërrisnin “Çengeli”, njihej për vjedhjen e telefonave të qytetareve nga xhepi, duke i tërhequr me gishtin e vogël të dorës.
Mirëpo “Çengeli” nuk ka hezituar të postojë edhe foto të tij duke pozuar dhe mbajtur armë.
Cungu shfaqet me armë dhe shuma të konsiderueshme parash si dhe nuk fsheh pasionin për motorët.
Në vitin 2016 ishte kthyer nga Gjermania, por u arrestua sërish nga policia e Tiranës, si autor i vjedhjes së banesës së një biznesmeni.
Vetëm në komisariatin nr. 3 numërohen mbi 70 vjedhje dhe grabitje të Cungut. Banor i së njëjtës lagje, Allias në Tiranë, duket se Cungu mbrëmjen e 19 janarit ka planifikuar grabitjen e radhës duke njohur mirë banesën e çiftit.
Kujtojmë se një ditë pas ngjarjes nga hetimet e policisë u konstatua se autorët e njihnin banesën dy katëshe të familjes Laze dhe gjithashtu edhe lëvizjet e familjarëve.
Ata hynë në banesë nga pjesa e pasme ku nuk ka pasur kamera sigurie dhe sistem alarmi, gjë që tregon se ata e njihnin shumë mirë vilën ku jetonte çifti./abcnews.al