Grabisnin qytetarët tek Liqeni Artificial, polici bashkiak: E bëja për të larë kredinë

schedule16:50 - 27 Nëntor, 2022

schedule 16:50 - 27 Nëntor, 2022

“Qytetarët i grabisja pasi kisha një kredi për të larë”. Kjo është dëshmia e policit bashkiak të Tiranës, Sajmir Muzikanti. 39 vjeçari bashkë me oficerin e rendit të komisariatit nr.1, Serxhio Cani 22 vjeç, u merrnin para me forcë qytetarëve të moshave të ndryshme.

ABC mëson se polici bashkiak i kryente grabitjet gjatë kohës që ishte në krye të detyrës. Kjo faktohet edhe nga dëshmia e tij.

“Sa herë që isha turni i tretë në punë merrja në telefon Serxhion dhe i thoja hajde dalim nga Liqeni. Për shkak të kredisë që kam detyrohesha t’u merrja paratë me zor qytetarëve. Këtë gjë e kam bërë në bashkëpunim me Serxhion”, ka dëshmuar ai.

Ndërsa Serxhio Cani, me detyrë polic patrulle ka mohuar se është përfshirë në grabitje. Por, provat e mbledhura nga kolegët e tij dhe oficerë të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore hedhin poshtë qëndrimet e 22 vjeçarit.

Dy policët, vepronin kryesisht në zonën e Liqenit Artificial sapo binte errësira.

Puna për identifikimin e tyre u organizua pas denoncimit të një qytetari. Ai deklaroi se një polic bashkie i kishte marrë disa herë para me dhunë atij dhe personave të tjerë.

Për javë të tëra, një grup agjentësh vëzhguan në terren. Muzikanti dhe Cani u arrestuan në flagrancë teksa po u merrnin paratë një kalimtari, ndërsa 7 të tjerë i kishin ndaluar po aty me argumentin se do kontrolloheshin nëse mbanin sende të jashtëligjshme me vete, si drogë apo armë.

Edhe këta persona bënë më pas denoncimin në polici. Gjithsej për dy oficerët ka pasur 9 kallëzime, dhe u janë dokumentuar 3 raste të grabitjeve, si shuma të ndryshme parashë, celularë apo sende të tjera me vlerë.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!