Goxhaj: Godina e Teatrit jashtë çdo kushti teknik për mbrojtjen nga zjarri

schedule11:39 - 18 Qershor, 2018

schedule 11:39 - 18 Qershor, 2018

Godina aktuale e Teatrit Kombëtarë është tërësisht jashtë funksionit dhe nuk përmbush asnjë nga kushtet e mbrojtjes nga zjarri, duke u kthyer në një rrezik për jetën e vet aktorëve ashtu edhe të spektatorëve. Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, duke folur sot në dëgjesën e organizuar nga Bashkia e Tiranës për projektin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar dhe rivitalizimin e zonës përreth tij, bëri një përmbledhje të të gjitha inspektimeve që ky shërbim ka bërë për disa vite me radhë në këtë godinë, duke theksuar se ajo nuk plotëson asnjë nga kushtet që kërkon ligji për sigurinë nga zjarri.

“Nga ana e sektorit të drejtorisë së shërbimit tonë janë bërë kontrolle të ndryshme në godinën e Teatrin Kombëtar ku janë vënë re shkelje të ndryshme e shumë të rënda për ekzistencën e godinës që për fat të keq janë ekzistente edhe në ditët e sotme. Kontrollet kanë filluar shumë kohë më parë . Nga raportet tona kemi që në  2001-2002 në këtë institucion nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Zjarrfikës në Ministrinë e Brendshme është lënë një akt – kontroll bllokimi për aktivitetin e këtij institucioni. Në këtë vit është kërkuar që ky institucion të bllokohet të mos vijojë më aktivitetin.

Pavarësisht kësaj, duke u nisur edhe nga marrëdhëniet ndërinstitcionale ky institucion ka vijuar aktivitetin por paralel me këto edhe inspektimet nga ana jonë nuk kanë munguar. Kemi bërë inspektime thelbësore dhe tërësisht të objektit në 2014 ku kemi lënë detyra për përmirësimin e situatës. Kanë vijuar edhe në kohët më pas, kemi bërë inspektimin e gjithë mbrojtjes nga zjarri ku vihen re mangësi të theksuar”, tha Goxhaj.

Ai renditi një sërë mangësish që në tërësinë e tyre konstatojnë rrezikun që mbart godina aktuale e Teatrit Kombëtar për shkak se nuk disponon shumicën e kushteve për mbrojtjen dhe evakuimin e njerëzve në rast të rënies së zjarrit.

Rezervat ujore dhe pompat e furnizimit me ujë mungojnë. Sistemi i diktim sinjalizimit dhe shpëtimit nga zjarri mungon. Sistemi elektrik është jashtë kushteve teknike. Një shkëndijë elektrike mund të shkaktojë zjarr në gjithë godinën. Daljet e emergjencës thuajse mungojnë fare. Duhen minimalisht 6 dalje emergjente ndërkohë që funksionojnë një ose dy. Tavanet e objektit janë të pasigurta e të çara për qëndrimin e spektatorëve. Rrugët e kalimit janë jashtë kushteve teknike. Edhe në kushtet normale lëvizhshmëria është problematike. Nuk kemi sistem që të pastrojë ambientin nga tymrat. Mungon sistemi i aspirimit për rastet emergjencës.

Punishtja e përpunimit të drurit është jasdhtë kushteve teknike, nuk ka masa kundër zjarrit. Në kushtet ku jemi operohet me fikse zjarri dore 6 kg. Gjithashtu edhe sinjalistikat, tabelat e emergjencës thuajse mungojnë tërësisht”, theksoi Goxhaj.

 

Për të gjitha këto arsye, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës këmbënguli se godina nga ana e plotësimit të kushteve dhe masave kundër zjarrit nuk duhet të funksionojë, pasi përbënë një rrezik permanent për komunitetin e artistëve që luajnë në skenë dhe spektatorët që i ndjekin shfaqjet e tyre. “Për mendimin tonë kjo godinë është jashtë funksionit megjithatë që kjo godinë të vazhdojë aktivitetin jemi përqendruar me fikëse dore, kur ka aktivitete kemi lënë në dispozicion një zjarrfikëse.

Në kushtet për mbrojtjen nga zjarri kjo godinë nuk duhet të funksionojë, është thënë 15-16 vite më parë. Mungon një perde antizjarr. Masat e mbrojtjes nga zjarri mendoj që është jashtë funksionit dhe në çdo moment është objekt që duhet të ndalojë aktivitetin”, u shpreh Goxhaj.